Ishte në "arrest shtëpie", inspektorit të pyjeve në Pogradec i shpërthejnë me lëndë plasëse portën e banesës

Banesa e një ish-inspektori pyjesh në “arrest shtëpie” u sulmua me tritol në Vërdovë të Pogradecit. Fatmirësisht nuk pati të lënduar, por vetëm dëme materiale.

Shtëpia në fshatin Vërdovë të Pogradecit u sulmua me eksploziv.

Ishte ora 22:50 e mbrëmjes së të dielës kur tritoli shpërtheu në portën e banesës së Arben Xhulellarit,  ish-inspektor pyjesh në bashkinë e Pogradecit.

Të afërm të familjes dëshmuan se shpërthimi ishte i fortë dhe shkaktoi panik.

Fatmirësisht nuk ka të lënduar, por siç tregojnë pamjet në video, vetëm dëme materiale pasi është dëmtuar porta e jashtme e oborrit dhe xhamat.

"Hëngra darkë dhe u shtriva, kur dëgjova shopërthimin. Me tym dhe mjegull, ishte shpërthim i fortë."

Kryefamiljari 44-vjeçar është në "arrest shtëpie" për lejimin e prerjes së paligjshme të pyjeve në zonë.

Në dëshminë e parë për policinë ai ka mohuar të ketë konflikte duke mos dhënë kështu një motiv për sulmin me tritol ndaj banesës së familjes.

Edhe të afërmit nuk dinë të japin një motiv për ngjarjen.

"Nuk ka asnjë konflikt, ky njeri nuk ka dalë gati një vit."

Sulmet të ngjashme me eksploziv, ku nuk synohen viktima por dëme materiale, sipas ekspertëve janë një mesazh paralajmërus për objektivin.

Në pjesën më të madhe, këto ngjarjeve kanë mbetur të pazbuluara nga policia.

Edhe sulmi me tritol ndaj ish-inspektorit të pyjeve në Pogradec deri më tani është pa autor.