Drejt paqes? Basha me kryetarët, propozohet komision PD-Foltore për krizën

Kolegji i Kryetarëve duket streha e sigurt e Lulzim Bashës për të shtyrë në kohë hapin pas të premtuar.

Në mbledhjen e radhës brenda pak ditësh, mësohet se ata janë shprehur kundër dorëheqjes së Bashës pasi sipas tyre kjo do të rëndonte më tej situatën.

Zgjidhjen e shohin te ngritja e një komisioni të përbashkët me Foltoren, pa Berishën  dhe Bashën.

Agron Kapllanaj, kryetar i PD Fier: Ne duhet të gjejme një mekanizëm për t’u bashkuar. Propozimet që ne bëjmë me ju i diskutojmë, por keni parë që nga ana tjetër të thote dikush këto që po ju kërkojmë ne ju? Jo nuk ka, se kanë frikë të flasin kundër Sali Berishës. Vendimi i 9 shtatorit për Sali Berishën nuk mund të ndryshojë. Zgjidhja? Rruga më e thjeshtë është të hapim garë në PD. Të lëmë datën e zgjedhjeve dhe të hyjmë në zgjedhje. A na bën mirë kjo? Mendoj se jo. A i bashkon demokratët jo, ndoshta do i dëmtojë më shumë, do çahet më shumë. Mund të ngremë një komision me 10 veta, dhe ne bëjmë një veprim për të bashkuar demokratët, 5 anëtarë nga PD dhe i lëmë afat Foltores të sjellë 5 vetat e vet. Natyrisht pa Berishën dhe Bashën. Nëse nuk vijnë kjo strukturë të drejtojë PD për një periudhë kohe deri në procesin e ardhshëm zgjedhor.

Pëllumb Seferi, kryetar dega 8 Tiranë:  Anëtarët e degës 8 kanë shprehur mbështetje për kryetarin Basha. 6 marsi u organizua nga Berisha e Meta për të goditur Lulzim Bashën. Pati dhe mbështetjen e Ramës, atij i intereson një person i izoluar nga Perëndimi.  Arsyeja ishte vendimi për ta pezulluar Sali Berishën nga grupi. Berisha nuk e ka luftën me PD, por me Amerikën dhe përdor emrin e Bashës për të mbrojtur veten.  Duhet të qëndrojmë dhe jo të bëjmë zgjidhje emocionale. Zgjidhjet të vijnë prej nesh, ne kemi organe legjitime. Deputetët duhet të jenë të kujdesshëm, nëse kërkojnë dorëheqjen e Bashës të venë dhe mandatin e tyre në tavolinë. Asnjë se ka fituar vetë mandatin, jemi dhe ne aksionerë të mandateve të tyre. Të bashkohemi për të ngritur grupe pune nga të dy palët. Për këtë duhet të ketë vullnet nga të dy palët.  Duhen njerëz me integritet. Të merren opsionet e të dy krahëve, ish-drejtuesve të partisë, anëtarësisë e të gjendet zgjidhje. Por aty duhet të prevalojë qasja jonë euroatlantike, pra nuk ka kthim pas nga vendimi i 9 shtatorit.

Ilir Koçia, kryetar i PD-së Kuçovë: Nuk i kuptoj ata që kërkojnë të ikësh nga PD në këtë moment kaq të vështirë për PD, pa ofruar asnjë zgjidhje. E kuptoj se askush në PD, grup parlamentar nuk e çon nëpër mend që të vijë Berisha, por si do ta bashkojmë partinë? Kjo është pyetja sot. Se të iki Lulzim Basha dhe ta lërë PD në ciklonin e përplasjeve me Sali Berishën nuk jam dakord. Ne na duhet zgjidhja. Kryetari e ka bërë të qartë se është i gatshëm për çfarëdo lloj zgjidhje. Ne duhet të ngremë komision me dy grupet dhe persona që nuk janë as me as me ata. Ka njerëz që kanë qenë në mes të dy palëve, ka njerëz që mund të ndihmojnë në këtë moment për të gjetur zgjidhje. Mjafton mos të jenë njerëz që bëjnë pazar me Ramën. Pa gjetur më parë zgjidhje, largimi i kryetarit do ta bëjë më keq situatën në PD.

Sekretari i degës Vlorë, Gjergji Nika: Asgjë nuk ndodhi nga 25 prilli në 6 mars, kishim vetëm një barrë të brendshme. Ne jemi ndarë në 3 fraksione, ne, ata të Berishës dhe pjesa e heshtur. Ne duhet te fokusohemi njëherë te kjo pjesa e heshtur, pastaj te bashkimi me Foltoren. Nuk jam dakord për dorëheqjen tuaj, partia nuk është gati për zgjedhje. Zgjidhja duhet të vinte nga ju në formë kompromisi, por duke mos bërë një hap pas. Nuk mund të kthehemi pas. Kompromis por pa dorëheqjen tuaj.

Bujar Vreto, kryetar i PD Librazhd: Duhet të bëjmë një platformë përbashkuese, duke u distancuar nga hajdutët e periudhës 2005-2013. Mblidhni Këshillin Kombëtar, ndoshta edhe Kuvendin në prill, por nuk e gjykoj të arsyeshme dorëheqjen në këtë moment. Ne na duhet zgjidhje jo thellim i krizës.

Arif Rexhmata, kryetar i PD-së Kukës: Gjithë grupet përfituese të pushtetit janë bashkuar duke shpifur për ju kryetar, duke ju ngarkuar një barrë që se keni. Ne i njohim të gjithë. Ne nuk kemi pune me dorëheqjen tuaj, ajo është zgjidhja juaj. Mendoj se zgjidhje mund të jete duke mbledhur forumet, ndoshta duke pranuar dhe fraksionet. Fraksionet nga eksperienca edhe bashkojnë.

Lefter Gështenja, kryetar i PD dega 7 Tiranë: Rrugët e bashkimit: një hap pas të dy, Basha dhe Berisha,  qetësohet situata dhe të ketë një armëpushim. Dhe pastaj një platformë për të çuar në zgjidhje. Ne duhet të gjejmë një zgjidhje. Kemi një problem dhe duhet të gjejmë zgjidhje. Të gjithë bashkë të ringrejmë PD dhe të ecim para. Duhet të bashkohemi.

Sabah Sheta, kryetar i PD-së Krujë: Situata është e keqe, problemi është si do e zgjidhim? Problemi fillon në 19 maj. Ju dhe Berisha keni korrur sukses kur keni qeverisur bashkë, nuk mund të gjeni një zgjidhje ju të dy? Ju jeni dy kokat që e mbani PD të ndarë, mund të na jepni një zgjidhje për demokratët? Une nuk jam për dorëheqjen, ja ike ti, çfarë zgjidh? Ju mund të zgjidhni dy grupe për të gjetur zgjidhje brenda nesh, nuk shoh zgjidhje tjetër përveçse juve. Ju e nisët, ju bitiseni. Na bashkoni ne demokratët. Demokratët i kanë sytë nga ju, ju mund të na nxirrni nga ky ferr.

Luan Hoti, kryetar i PD dega Durrës: Problemi është se demokratët janë përçarë dhe sa herë të hyjmë në zgjedhje nuk do arrijmë dot rezultat. Duhet të gjejmë zgjidhje se baza është e përçarë. Kështu nuk kanë se çfarë të bëjnë. Zgjidhjet nuk vijnë tani se jemi të irrituar. Nuk ka zgjidhje me ik ti e hajde ti. Të reflektojmë, të qetësohemi. Nuk i lamë gjë mangët fushatës, problemi është përçarja e demokratëve. Garën nuk e kisha me demokratët, e kisha me Sakon, po nuk ishte kështu për pjesën tjetër. Demokratët na ndëshkuan të dyja palëve. Cila është zgjidhja? A është zgjidhja largimi i kryetarit? Basha thotë është gati për çdo zgjidhje, por tërheqja e tij nuk është zgjidhja në këtë moment. Duhet bashkimi, po shkuam në 2-3 kampe, nuk fitojmë. Duhet bashkim. Për zgjedhje brenda partisë nuk mund të mendojmë, të paktën jo brenda një viti. Duhet një formulë bashkimi fillimisht.

Ferit Ringaj, kryetar i PD Pukë: Situata është problematike në bazë. Fronti që keni hapur është shumë i gjerë, trekëndëshi i Bermudës është shum i fortë. Kanë kapital financiar që të mposht në çdo aspekt. A mundemi ne t’i bëjmë ballë? Si mund të gjejmë zgjidhje? Mbase të ngremë një grup negociator, me njerëz të urtë, në funksion të bashkimit. Procesin duhet ta udheheqë Partia Demokratike dhe iniciativa duhet të vij nga ne. Shtrini dorën vetëm me një kusht, mos të vijë një nongrata në krye të PD.

Xhemal Bushati, ish-kandidati i PD për kryebashkiak në Shkodër: Frymën  e bashkimit e kam pas kryesore në fushatën time. Kisha përballë Berishën, PDK, LSI, PSD e Tom Doshit e Bashkinë. Duhet strategji. Të hapim PD me të rinjtë, intelektualët. Jam dakord të bashkohemi, po se di a na len LSI me u bashkuar. Nëse PD kthehet parti te vlerave do e shohin edhe shqiptarët se është parti e vlerave. Vetëm kështu ecim përpara.

Vesel Koçia, kryetar i PD, dega Sarandë: PD ka një Kuvend të 18 dhjetorit, një statut të miratuar. Këshilli Kombëtar  ka marrë disa vendime. Komisioni i përbashkët është një mënyrë e mirë. Unë nuk jam që dorëheqja të jetë zgjidhje. Ngremë një komision që të negociojë për bashkimin e demokratëve.

Naim Gazidede, kryetar i PD, Dibër: Berisha e ka shprehur se para dinjitetit tim nuk pyes për asgjë, pra as për PD. Ai do ta shkatërrojë PD, i ka hyrë kësaj rruge. Nuk mund të marrin vendim disa deputetë pa na pyetur ne. Me kë u konsultuan? Ata nuk njohin asnjë demokrat. Për mua zgjidhja është të vazhdojmë punën. Të plotësohen strukturat e të vijojmë punën.  Në Foltore është një pjesë e mafies. Foltorja ka dhënë nga 100 mijë lekë për komisionerë e vëzhgues. Ku i gjetën këto para? Sali Berisha ka hall të madh dhe ka të tjerë andej që kanë po kaq hall të madh. Formula e zgjidhjes është të bashkojmë sa më shumë demokratë, të plotesojmë strukturën dhe të punojmë me çdo qytetar. Nuk e zgjidh problemin dorëheqja e Bashës.

Arjan Lika kryetar i PD-së Mat: Ata nuk e duan bashkimin. As mos të të shkojë mendja të japësh dorëheqje. Kjo është gjëja më e thjeshtë, por nuk është zgjidhja. Nuk vjen në pushtet një PD me Sali Berishën. Duhet të zbresësh në terren, të takosh demokratët, qytetarët.

Durim Fiku, kryetar i PD-së dega Bulqizë: Bashkëpunimi është i domosdoshëm. Duhet të hedhim ujë e jo benzinë zjarrit. Nuk mund të rrinë demokratët në cepa e të mos flasin me njëri-tjetrin. Të nisim nga seksioni e të bashkojmë bazën, të plotesojmë strukturen. Kështu të ndarë nuk vijmë në pushtet.