Kriza u ka vështirësuar jetesën, fermeri në Lushnje: Kisha djalin në dy kurse, i hoqa njërin kur u rrit nafta


Një fermer lexoi para mediave çka ai bashkë me djalin 10 vjeçar kanë shkruar për krizën që po përjetojnë fermerët dhe fëmijët e tyre

Ndërsa deri dje kishin problem kryesor tregun, sot fermerët në vend po ndjejnë mbi supe rritjen e çmimeve të imputeve bujqësore dhe naftës.

Mirlind Saraçi, fermer nga Kosova e Vogël në Lushnje, tregon sesi kjo krizë ia ka vështirësuar jetesën, duke i pamundësuar edhe plotësimin e nevojave për fëmijët.

"Çunin tim 10 vjeç e sjell këtu në Lushnje të bëjë stërvitje te trajneri Gazheli, e sjell dhe në kurs të anglishtes. Si u ngrit nafta i thashë do të shkojmë vetëm te kursi i anglishtes dhe do ta lëmë futbollin se nuk kemi. Më tha mirë baba, si të duash ti. Kam dy javë që nuk e çoj, vetëm te kursi i anglishtes. Nuk më del. Gjithë lekët i kam hedhur investim, akoma nuk kam dalë me prodhimet. Ai thotë pakica, unë jam fermer i thjeshtë punoj në sera plakën time, babain 70-vjeçar dhe gruan. Nuk di çfarë kërkon më ai".

Edhe pse ka derdhur të gjithë kursimet e tij si emigrant ai thotë se situata e krijuar po e bën të mendojë të kthehet edhe njëherë nga erdhi.

"Jam shumë i lumtur që populli ynë më në fund u zgjua dhe po kërkon të drejtat e tij ligjore. Ne si fermerë po përballemi me shumë vështirësi, nuk kemi me çfarë ti blejmë plehrat, plastmasin etj. Çmimet janë trefishuar të gjitha. Ata pak që kanë mbjellur nuk kanë lekë të blejnë plehra t'u hedhin, ndërsa shumica i kanë lënë ashtu si unë që po e mendoj të largohem sërish nga erdha, në Itali. Hodha kursimet e mia, tani si familjarë nuk kemi tu plotësojë kushtet minimale fëmijëve. Me çfarë lekësh të blejmë kur prodhimet tona shiten me 20, 30 apo 40 lekë.

Kemi familje për të mbajtur. Kur nëna me lot në sy nuk ka ti japë fëmijës një 200 lekëshe për në shkollë, sepse ajo mendon ditë e natë si ti shkollojë fëmijët e vet. Ne jemi shumica zotëri, nuk jemi pakica. Fëmijët tuaj janë në shkollat më të mira jashtë ndërsa fëmijët tanë nuk kanë të paguajnë furgonin për të shkuar në shkollë. Ju jeni pakica, që fëmijët tuaj lëvizin me mijëra euro në xhep dhe makina të shtrenjta. Nuk po ju lypim asgjë por po u kërkojmë të drejtat tona siç e kanë vendet fqinje Kosova dhe Maqedonia, që ndihmojnë fermerët. Duam atë që na takon, mbështetje për shtresën e ulët. Prandaj jemi atje, për shumicën".