Shqipëria në protestë, qytetet kërkojnë uljen e çmimeve, policia përgjigjet me procedime

Dhjetëra qytetarë dolën edhe këtë të shtunë në protesta masive kundër rritjes së çmimeve. Marshime u mbajtën në Dibër, Lezhë, Korçë e Pogradec në ditën e tretë të manifestimeve.

Te grumbulluar përgjatë rrugës së Arbrit, protestuesit kërkuan uljen e çmimeve. Shqetësimit të shtrenjtimit të produkteve i është shtuar dhe mungesa e ujit të pijshëm.

“Nuk kemi ujë të pijshëm. Kush na shërben neve, zoti kryeministër unë nuk kam ujë për të pirë.”

Revolte dhe ne Lezhe. Qytetarët nisen marshimin ne 10:00 pranë kryqëzimit të Shën Kollit ku bllokuan autostradën Lezhë-Laç për disa minuta.

Për pasojë u përplasen me policinë, e cila kërkoi zhbllokimin e qarkullimit te automjeteve.

Protestuesit në Lezhë thanë se do të rikthehen serish në bllokimin rrugëve deri kur të ulen çmimet dhe reduktohen taksat.

Ndërkohë, edhe qytetarët e Korçës mbushen sheshet dhe rrugët.

Në Pogradec, gjithashtu u zhvillua një protestë nga Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë, e cila kërkoi që ashtu siç ndodhi me karburantet, qeveria të ndërhyjë dhe për çmimet e produkteve te tjera. Drejtuesi i saj paralajmëroi grevë.

Manifestimeve për uljen e çmimeve pritet t’i bashkohen dhe fermerët e Devollit, të cilët kanë njoftuar se këtë të dielë do dalin në protestë.

Ndërsa në Vlorë Policia ushtroi kontrolle për makinat luksoze në hyrjen e qytetit dhe njëkohësisht në hyrje të autostradës Vlorë-Levan.

Aksioni u konsiderua si një pengese nga qytetaret qe iu bashkuan tubimit kombëtar te mbajtur në Tiranë.

Ndërkohë pasditen e kësaj të shtune i janë bashkuar protestave edhe qytetarët e Elbasanit dhe ata të durrësit me të njëjtin qëllim, uljen e çmimeve.