Policë të pa identifikuar në protestë, Avokati Meksi: Shkelje ligjore, arrestime politike

Policia e Tiranës ka njoftuar se ka arrestuar 23 protestues sit ë përfshirë në organizimin e protestës si dhe në bllokimin e rrugës. Përveç punonjësve me uniform, të angazhuara ishin edhe forcat operacionale çka sipas juristit është e jashtëligjshme.

23 protestues janë arrestuar nga policia e Tiranës gjatë protestës së ditës së enjte teksa bllokuan për disa minuta disa segmente kryesore të Kryeqytetit.  

Sipas njoftimit të policisë ata akuzohen për Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme", "Prishja e qetësisë publike", "Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik" dhe "Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit",  kryer në bashkëpunim.

Në disa episode është vënë re edhe pjesëmarrja në protestë e forcave operacionale të Tiranës, të cilat kanë kryer edhe disa shoqërime.

Avokati Redon Meksi ka ngritur dyshimet për prezencen e këtyre punonjësve të policisë të cilët ishin të pa identifikuar.

Sipas tij ata kanë shkelur ligjin pasi në asnjë moment ata nuk kanë treguar se ishin punonjës policie.

“Nuk u lejohet në asnjë moment punonjësve civilë që të jenë në protestë, sepse krijojnë konflikte. Mund të futen për nxitur protestën dhe pastaj të akuzojnë protestën që ishte e dhunshme. Nga ana tjetër nuk lejohen as punonjësit e policisë me uniformë pa numër. Ka detyrim ligjor. Më e turpshme është se këta punonjësit pa uniformë pasi i arrestojnë njerëzit duke i tërhequr zvarrë shtojnë edhe akuzë kundërshtim ndaj forcave të rendit.” 

Po ashtu Meksi thotë se akuza e Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme për të cilën protestuesit akuzohen është shfuqizuar nga gjykata kushtetuese

“Kjo akuzë është qesharake pasi Gjykata Kushtetuese më datë 4 maj të 2021 e ka shfuqizuar këtë nen, duke i lënë detyrë parlamentit që të bënte rregullimin e nenit. Parlamenti ka bërë gati 1 vite dhe s’ka bërë asgjë. Kështu që ky nen nuk është funksional.”

Edhe aktivistë të shoqërisë civile e akuzuan policinë për dhunë të tepruar ndaj protestueve.