FNSH gati të ndërhyjë për të shpërndarë protestuesit tek "Zogu i Zi"
Teksa vijon protesta te Zogu i Zi, FNSH po bëhet gati të ndërhyjë për të shpërndarë protestuesit, të cilët kanë bllokuar rrugën dhe për pasojë është krijuar kaos në trafik.
Gazetari Edison Vatnikaj nga vendi i ngjarjes informon se disa efektivë të FNSH, janë të pajisur me gaz lotsjellës, por megjithatë nuk dihet nëse do të përdoret ndaj protestuesve.
Policia e Shtetit ka paralajmëruar protestuesit në kryeqytet që të shpërndahen, ose do të ndërhyjnë për të zbatuar ligjin.
"Në disa qytete të vendit grupe personash, kryesisht të rinj, janë konfrontuar me punonjësit e Policisë dhe në disa raste kanë bllokuar edhe lëvizjen e lirë të automjeteve dhe të qytetarëve.
Nisur nga situata e krijuar, veçanërisht në Tiranë, ku grupe të rinjsh vijojnë të kundërshtojnë thirrjet e Policisë për t’u shpërndarë dhe për të liruar rrugët, Policia e Shtetit bën thirrje që personat që kanë bllokuar rrugën të shpërndahen menjëherë pasi punonjësit e Policisë do të ndërhyjnë në zbatim të ligjit për të shpërndarë protestuesit, me qëllim lejimin e lëvizjes së lirë të autometeve dhe qytetarëve."- thuhet në njoftimin e policisë.
Policia e Shtetit, edhe një herë shpreh vendosmërinë për të mbrojtur të drejtat dhe liritë themelore të qytetarëve, edhe të atyre që protestojnë në mënyrë paqësore, dhe nuk do të tolerojë veprime të cilat bien ndesh me ligjin dhe cenojnë rendin e sigurinë, lëvizjen e lirë të qytetarëve dhe të automjeteve.
Mijëra protestues, që prej orës 17:00 kanë marshuar drejt Kryeministrisë kundër rritjes së çmimeve.
Pas Kryeministrisë ata janë zhvendosur të bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, sheshi “Skëndërbe” rruga e “Durrësit” dhe më pas në “Zog të Zi”, ku dhe kanë bllokuar rrethrrotullimin.
