Dy raporte për “incineratorët”, i opozitës do t’i depozitohet SPAK për hetime
Komisioni Hetimor për Incineratorët zhvilloi mbledhjen e fundit ku u prezantuan dy raportet finale. Konkluzioni i paraqitur nga opozita ku theksoheshin shkeljet dhe abuzimet u rrëzua, ndërsa u miratua raporti i mazhorancës, i cili do të prezantohet në Kuvendin e Shqipërisë. Në fjalën e saj, Jorida Tabaku, deklaroi se konkluzionet e gjetura nga opozita do të dërgohet në SPAK për hetimet e mëtejshme.
Komisioni Hetimor për incineratorët doli me dy raporte, të cilat do t’i paraqiten Kuvendit për votim.
Kryetarja, Jorida Tabaku, në leximin e konkluzioneve përfundimtare shpjegoi skemën se si u përdorën paratë e buxhetit dhe si operuan kompanitë e incineratorëve.
Tabaku: Së pari kompanitë e inceneratorëve kanë përdorur buxhetin e shtetit për të tërhequr paradhënie shumicën e shumës së premtuar në formën e paradhënies dhe më tej ato kanë zhdoganuar mallra më pak se sa ajo e zotuar në kontrata. Së dyti eshtë mënyra përmes së cilës ato kanë vepruar është ajo e krijimit të transfertave të parave jashtë vendit.Së treti është mënyra e krijimit të një miksi mes sajimit të kompanive fiktive me fatura të TVSH dhe gjithashtu transferimi i parave në kompaninë ITS, e cila është përdorur si një kompani guaskë përmes së cilës janë shpërndarë paratë në të tjera kompani.
Sipas Tabakut, kjo skemë më pas shtyu serinë e veprimeve të institucioneve lokale dhe qendrore për të ndërtuar një skemë korruptive dhe për këtë do të ketë një kallëzim të plotë në SPAK.
Ndërkohë, përfaqësuesja e mazhorancës, Ermonela Felaj, mbrojti incineratorët, duke thënë se ata ishin të nevojshëm për shkak të situatës së menaxhimit të mbetjeve nga viti 2013 e deri më sot.
Felaj sqaroi edhe shumën prej 430 milionë eurosh të evidentuar si dëm nga opozita.
Felaj: Shuma e paguar ne total është55 milionë euro, ku përfshihet pagesa e plotë për impiantin e Elbasanit. Shuma totale që do paguajnë bashkitë e Tiranës në 30 vitet e ardhshme deri në 2047 do jetë 300 milionë euro, kësaj shumë i shtojmë dhe investimin e privatit 128 mln euro. Vetëm mbledhja e këtyre të çon në 430 mln euro. Kjo është pafatësi ose dashakeqësi.
Pas leximit të raporteve, kryetarja e Komisionit Hetimor, Jorida Tabaku, i bëri thirrje SPAK të dërgojë përpara drejtësisë të gjithë zyrtarët e përfshirë në këtë aferë.
Tabaku: Sot një thirrje të qartë dhe të fortë për prokurorët e Prokurorisë së Posacme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar: tani topi është në fushën tuaj. Ndaj, mos na zhgënjeni, mos i zhgënjeni shqiptarët!
