"Burim frymëzimi për popullin opozitar", Berisha thirrje demokratëve për bashkim: Fitoren e Shkodrës ta shtrijmë në mbarë Shqipërinë
Burim frymëzimi për mbarë popullin opozitar e ka konsideruar ish-kryeministri Sali Berisha fitoren në Shkodër të kandidatit të tij për kryebashkiak Bardh Spahia.
Teksa i drejtohej Kuvendit për seancë plenare, Berisha falenderoi të gjithë kontribuesit në rezultatin zgjedhor ku Shtëpia e Lirisë u pozicionua e dyta pas PS-së në 4 bashki, në Shkodër forcë e parë dhe në Rrogozhinë forcë e tretë.
Falenderim pati edhe për aleatët LSI dhe Partisë Demokristiane.
Berisha: Shkodra është simbol i frymëzimit i gjithë popullit opozitar sot në Shqipëri. Ajo mbetet e pamposhtur në vizionin e saj perëndimor dhe kombëtar. Kam një falenderim shumë të veçantë për të gjithë ata demokrate dhe dëmokratë dhe anëtarë të partive aleate LSI dhe Partisë Demokristiane që u angazhuan në këtë fushatë elektorale për kandidatët tanë që përfaqësuan me qytetari dhe dinjitet alternativën e Shtëpisë së Lirisë.
Mirënjohje të veçantë për ata që numëruan mbrëmë, e zbardhën duke numëruar votat. Rezultati u arrit në kushtet më të vështira dhe të jashtëzakonshme në 30 vjet. PD u përball në këto zgjedhje në Shkodër dhe kudo jo vetëm me kreun e Meduzës, një armik i egër i vullnetit të lirë të shqiptarëve por edhe patericën, shtojcën e tij Lulzim Bravën, që sot është demokrati i vetëm në Shqipëri që ndjehet që nuk humbet dhe nuk ka humbur. I ka dhënë një zgjidhje përfundimtare problemit duke shpallur çdo humbje në mos fitore të paktën jo humbje.
Duke lënë derën hapur, Berisha ftoi të gjithë demokratët ti bashkohen opozitës së vërtetë për të shtrirë në gjithë Shqipërinë fitoren e Shkodrës.
Berisha: Këto zgjedhje janë kushtrimi më i fuqishëm për çdo demokrat dhe demokrate në Shqipëri që të bashkohemi. Populli opozitar votoi masivisht opozitën e vërtetë, të bashkohemi të gjithë rreth PD së rithemeluar që fitoren e Shkodrës ta shtrijmë në mbarë Shqipërinë.
I pyetur nga gazetarët nëse Komisioni i Rithemelimit të PD-së do ti drejtohet sërish selisë blu, Berisha tha se "në ditët në vijim do të njiheni me gjithë hapat tonë".
