Basha nuk “lulëzoi” as në mars, Berisha “rilind” pas “dimrit politik”. Shkodra “mollë e ndaluar” për Ramën

Lulzim Basha pësoi humbje të thellë në zgjedhjet e 6 marsit, madje në një Qendër Votimi në Shkodër kandidati i tij mori zero vota. Shkodra është ajo që fut në lojë lëvizjen e Sali Berishës, koalicioni i të cilit në bashkitë e tjera doli i dyti me vota pas Partisë Socialiste e cila fitoi 5 bashki në këto zgjedhje.

Zgjedhjet lokale në 6 bashkitë e vendit dëshmuan rënien drastike të Partisë Demokratike të Lulzim Bashës, rikonfirmin e Foltores së Sali Berishës dhe  fuqizim të pushtetit të Edi Ramës.

Ky i fundit i fitoi këto zgjedhje përballë opozitës së shkërmoqur.

Pjesëmarrja e ulët në votime ishte shenja paralajmëruese e këtij rezultati.

Qytetarët i braktisën kutitë e votimit, pasi në këtë proces u shënua pjesëmarrja më e ulët historike.

Jo nga moti, pasi Dibra nën dëborë dhe të ftohtë kishte përqindjen më të lartë të zgjedhësve që dolën në kutitë e votimit.

Vora ishte bashkia e parë që nxori rezultatet në kohë rekord për shkak të aplikimit të pajisjes elektronike të votimit dhe numërimit.

Aty ky Lulzim Basha nuk gjeti as komisioner vendas për procesin e votimit, pësoi dhe humbjen më të rëndë.

Kandidati i tij Ymer Marku mori vetëm 764 vota, Blerim Shera i Partisë Socialiste i fitoi këto zgjedhje me 8 431 vota, ndërsa Lulzim Vrana i Shtëpisë së Lirise u rendit i dyti  me 2 956 vota.

Veç Vorës, socialistët mbajtën Rrogozhinën. Edison Memolla i Partisë Socialiste fiton mandatin e kryebashkiakut me 5438 vota.

Partia Demokratike këtu u renditet e dyta dhe e fundit Shtëpia e Lirisë.

Bashkia tjetër që mbajnë socialistët është Lushnja.

Eriselda Sefa mori mbi 58% të votave. Shtëpia e Lirisë e dyta.

Ndërsa Indrit Sefa i Partisë Demokratike përfundoi i treti me rreth 11% të votave.

Në Dibër pavarësisht të gjithë skandaleve të dyshuara që kanë ndodhur në këtë bashki, duke filluar që me fenomenin “Shukriu” dhe “dosjen 184” të së ashtuquajturës masakër elektorale sërish fiton PS, këtë herë me Rahim Spahiun. Pas tij vjen Shtëpia e Lirisë.

Durrësi edhe pas 22 vitesh votoi majtas me 6 mars, pavarësisht akuzave që kanë rënë ndër vite ndaj kryetarëve socialistë që kanë qeverisur këtë bashki. Për të djathtën Durrësi mbetet truall i zënë bregdeti.

Shkodra, ishte bashkia e vetme e fituar nga të djathtët. Rezultati i 6 marsit i dha në këtë mënyrë fitoren morale Sali Berishës, duke votuar Bardh Spahinë.

Socialistët këtu dolën të dytët, ndërsa Basha në fund. Edhe pse ishin zgjedhje lokale, të pjesshme, për një kryebashkiak me mandat vetëm 1 vjeçar, 6 marsi tregoi me tepër seç mund të tregojnë zgjedhjet parlamentare.