PS mori 5 bashkitë, Baçi: Koha që PD të bashkohet, edhe deputetët e tjerë të reagojnë si Gjekmarkaj
Deputeti demokrat ka komentuar zgjedhjet e 6 marsit, ku PS ka marrë bashkinë e Vorës, Rrogozhinës, Dibrën, Durrësin e Lushnjes, ndërkohë ende nuk janë numëruar votat në bashkinë e Shkodrës.
Në një intervistë për Ora News, Baçi tha se deklarata që bëri Agron Gjekmarkaj pas humbjes së Lulzim Bashës, ishte pozitive, ndërsa shtoi se është momenti që PD të bashkohet.
Ndër të tjera ai tha se shpreson se një reagim si i Gjekmarkajt të jetë edhe nga deputetët e tjerë.
Luan Baçi: Me vjen mirë që dëgjova deklaratën e Gjekmarkajt. Më ka surprizuar kur pranoi detyrën e nënkryetarit të PD në një kohë kur Basha ishte në një vakum të madh. Është një deklaratë pozitive. Do doja që shumë deputetë të tjerë të reagonin në këtë mënyrë. Nuk është asnjëherë vonë. Jemi në momente e duhura që PD duhet të bashkohet. PD janë anëtarët, simpatizantët, votuesit. PD nuk është vula as sigla. Reagimi dhe reflektimi i kolegëve të mi deputetët që fillon që sot më vjen mirë dhe kjo do të thotë se PD ka shpresë për t’u futur në një analizë të thellë të detajuar, që të gjithë për t’u bashkuar. Ky pushtet arrogant qëndron, vetëm për një arsye ë, se nuk ka pasur opozitë, ose ka pasur një opozitë falso.
Ai tha se qëllimi i tyre ka qenë që të fitojnë të 6 bashkitë dhe jo garën brenda PD, ndërsa shtoi se Basha po mban peng partinë.
Luan Baçi: Nuk kemi pasur qëllim që të fitonim brenda PD, qëllimi ynë ishte që të fitonim bashkitë, por duhet të jemi të përgjegjshëm. PD u ndodh përpara një situate krejt të pazakontë, që një kryetari që mban peng vulën, emrin, që mban peng zyrën duke kërkuar ndihmën e pushtetit, duke e ditur që anëtarësinë e ka kundër, vazhdoi me këtë forcërisht dhe u paraqitën me 6 mars për t’u regjistruar në ditën e zgjedhjeve. Në këto zgjedhje na penalizoi edhe sigla.
