Pas humbjes në 6 bashki nis kryengritja në PD, nënkryetari paralajmëron dorëheqjen

Dështimi i Partisë Demokratike që drejtohet nga Lulzim Basha në zgjedhjet e pjesshme vendore të së dielës ka nxitur kryengritjen e anëtarëve të Kryesisë së kësaj partie.

Në Durrës, Dibër, Lushnje, Vorë, Rrogozhinë dhe Shkodër kandidatët e PD-së janë renditur të tretët me një diferencë shumë të madhe votash me kandidatët e koalicionit “Shtëpia e Lirisë” si dhe me ata të PS-së.

Nënkryetari i Partisë Demokratike, Agron Gjekmarkaj, e konsideron si një humbje tronditëse duke tejkaluar çdo parashikim ogurzi.

Gjekmarkaj thotë se PD nuk mund të akuzojë askënd pos vetes, ndërsa thekson se çdo justifikim është i papranueshëm.

Gjekmarkaj: Në zgjedhjet e pjesshme të 6 Marsit, Partia Demokratike pësoi një humbje tronditëse duke tejkaluar çdo parashikim ogurzi.  Përtej çdo rrethane kunder nesh, sado të dukshme e turpëruese, ne nuk mund të akuzojmë askend pos vetes. Çdo justifikim është i papranueshem! PD duhet të mbledhe sonte me urgjence organet e saj dhe të nxjerre përgjegjësitë që çuan në këtë katastrofë elektorale. Unë, prej dy muajsh jam njëri prej katër Nënkryetarve të PD-së dhe jam i gatshëm të mbaj pergjegjësinë time. Nuk do t'i shmangem asaj per asnjë arsye apo interes që bie në kundershtim me vullnetin e shoqerisë dhe parimet e mia etike.

Por humbja historike e PD-së nuk është kapërdirë edhe nga Indrit Vokshi, anëtar i Këshillit Kombëtar të PD-së, i cili ka dhënë dorëheqjen nga partia.

Lajmin e ka bërë me dije vetë Vokshi, i cili në një postim në rrjetet sociale thotë se Partia Demokratike nuk mori as shumicën e votës së saj tradicionale.

Ndërkaq vetë Lulzim Basha duket i pashqetësuar nga kjo revoltë që pritet të ndizet edhe më shumë në ditët në vijim.

Në komunikimin e parë pas humbjes drastike në zgjedhje, Basha deklaroi se tani rëndësi ka reforma zgjedhore, duke nënkuptuar se nuk ka ndërmend të japë dorëheqjen edhe pas kësaj humbjeje.

Basha: Së pari duhet që procesi të përfundojë dhe në këtë kuadër i bëj thirrje të gjithë numëruesve të vazhdojnë deri në fund numërimin, së dyti e kam bërë të qarët dhe nuk ka qytetar që nuk e di që procesi i 6 marsit ishte një anomali e një anomalie. Anomalia e parë që ndodhi ishin zgjedhjet moniste të 30 qershorit 2019, anomalia e dytë ishte që 4 kryebashkiakut monistë dolën me raporte kriminale. Njëri ndërroi jetë dhe tjetri vendosi të kandidonte. Në kushtet kur nuk ka asnjë reflektim për anomalitë e tjera të 25 prillit që çuan në deformimin e vullnetit të zgjedhësve, shumica e shqiptarëve e kanë kuptuar nevojën e një reforme të thellë zgjedhore.

Në zgjedhjet e së dielës Partia Socialiste e drejtuar nga Edi Rama fitoi 5 Bashki: Vorën, Dibrën, Rrogozhinën, Lushnjen dhe Durrësin.