Humbja në 6 bashki u "merr fjalët" deputetëve demokratë, Salianji thyen heshtjen: Ditë e tmerrshme!

Pas humbjes në 6 bashkitë e vendit në zgjedhjet e pjesshme vendore të 6 marsit, Lulzim Basha ka mbledhur pasditen e sotme në selinë blu grupin parlamentar.

Mbledhja vjen pak para nisjes së seancës plenare e cila pritet të fillojnë në orën 17:00.

PD doli e fundit në 5 bashki, përveç Rrogozhinës ku u rendit e dyta.

Ndërsa hynin në mbledhje, deputetët demokratë Flamur Hoxha dhe Kreshnik Çollaku preferuan të shmangnin komentet për median.

Përjashtim bëri Ervin Salianji i cili u shpreh: "Ditë e tmerrshme padiskutim".

PS fitoi 5 bashkitë e vendit, ndërsa në Shkodër vijon gara e udhëhequr nga Shtëpia e Lirisë me Bardh Spahinë.

Në një deklaratë për mediet sot, 7 mars Basha nuk e cilësoi garën humbje, por tha se ishte një proces anormal i dalë po nga një proces anormal siç ishte ai i 25 prillit.