Zgjedhjet e pjesshme vendore, mbyllet zyrtarisht votimi në 6 bashki

Në orën 19:00 është mbyllur zyrtarisht procesi i votimit 6 bashkitë e vendit. 

Zgjedhjet janë zhvilluar në Vorë, Rrogozhinë, Durrës, Lushnjen, Durrës, dhe Shkodër. Sipas KQZ, rezulton se në total kanë votuar vetëm 30.33% e 654,538 qytetarëve shqiptarë që kishin të drejtë vote për të zgjedhur kryetarët e rinj të bashkive. 

Të zgjedhurit në këto votime do të kenë një mandat 1-vjeçar. KQZ ka bërë me dije se janë 10,134 zgjedhës që votojnë për herë të parë.

Qendrat u hapën zyrtarisht në orën 07:00 por kutitë jo pasi komisionerët nuk shkuan në kohë dhe në zona të tjera moti jo i favorshëm për infrastrukturën shqiptare u bënë pengesë.

Në raportimet e gazetarëve të Ora News në qendrat e votimit, në shumicën e tyre rezulton se ka pasur vonesa. Në zonën e Dukagjinit u bllokuan rrugët nga bora, në Shalë nuk kishte energji elektrike. 

Në 2 qendra votimi në Shosh të Shkodrës dhe në 1 në Pult u anulua votimi për shkak të motit të keq.

Edhe Dibra pati probleme me vonesat në nisjen e votimit. Në shumë zona të Lurës votimi u bllokua nga bora dhe mungesa e energjisë elektrike.

Në Durrës incidentet kulmuan me denoncimin e koalicionit "Shtëpia e Lirisë" ku një vëzhgues i PS u shfaq në media duke fotografuar kartat e identitetit të votuesve.

Po ashtu në Durrës koordinatorë të PD-së dhe "Shtëpisë së Lirisë" janë konfliktuar para qendrës së votimit. Ndërkohë u shfaqën edhe probleme me pajisjet e identifikimit.

Në Lushnje mungonte komisioneri i "Shtëpisë së Lirisë", ndërsa nga ky koalicion deputeti Luan Baçi denoncoi parregullsitë e procesit të votimit në një sitë vendore në Lushnje. Ai i bëri thirrje Prokurorisë të nisë hetimet për autorët e këtyre abuzimeve.

Në Vorë veç mungesës së komisionerëve të PD-së, u vunë re skema tradicionale të votimeve shqiptare, ato familjare. Denoncime erdhën edhe nga PD për këtë fakt.

Në këto zgjedhje kandidatë për kryetarë bashkie ishin: 

Kandidatët e PD

Bashkia Shkodër, Xhemal Bushati,

Bashkia Durrës: Luan Hoti

Bashkia Lushnjë: Indrit Sefa,

Bashkia Dibër: Luan Haka

Bashkia Rrogozhinë: Ferdinand Saraçi

Bashkia Vorë: Ymer Marku.

Kandidatët e PS

Për Bashkinë Durrës: Emirjana Sakon

Për Bashkinë Shkodër: Majlinda Angonin

Për Bashkinë Dibër: Rrahim Spahiun

Për Bashkinë Rrogozhinë: Edison Memolla

Për Bashkinë Vorë: Blerim Shera

Për Bashkinë e Lushnjës: Eriselda Sefa

Kandidatët e Grupit të Rithemelimit (Sali Berisha+LSI)

Bashkia Shkodër: Bardh Spahia

Bashkia Durrës: Ardian Muka

Bashkia Lushnjë: Eton Bano

Bashkia Dibër: Premtim Kryemadhi

Bashkia Rrogozhinë: Hekuran Xhani

Bashkia Vorë: Lulzim Vrana