Reshjet e borës bllokojnë 7 fshatra në Skrapar, 10 të tjerë pa energji elektrike

Ulja e ndjeshme e temperaturave ka sjellë edhe reshje të pandërprera të dëborës në të gjithë rrethin e Skraparit.

Dëbora ka mbuluar gjithçka në çdo fshat, duke arritur edhe në pikën më të lartë në Teqenë e Abaz Aliut, ndërkohë që trashësia e saj ka arritur deri në 20-25 cm.

Reshjet e pandërprera të dëborës,q ë filluan pasditen e djeshme dhe që vijojnë të bien ende kanë bllokuar disa fshatra malore në rrethin e Skraparit.

Edhe pse raportohet se të gjitha akset nacionale të qarkut të Beratit janë të hapura dhe me qarkullim të pandërprerë, 7 fshatra rreth Tomorrit janë të izoluar nga dëbora, ndërkohë që 10 fshatra të tjerë janë pa energji elektrike prej mëngjesit të sotëm për shkak të erës së fortë.

Fshatrat Gjerbës, Qafë Dëvri, Leshnje, Gërdec, Potom, Backë dhe Zaloshnje janë të izoluar nga dëbora, ndërkohë që fshatrat Ujanik, Gradec, Radësh, Tomorr, Potom, Zhepë, Dërvi,Backë, Leshnje e Tomorr në bashkinë Skrapar janë pa energji elektrike.

Burimet zyrtare nga OSHEE-ja Berat konfirmojnë se të gjitha ekipet janë në terren dhe po punojnë për rikthimin sa më të shpejtë të energjisë elektrike në të gjitha zonat ku ka probleme.

Edhe në disa akse raportohet prezencë ngricash në rrugë, ku më problematik është aski Bogovë-Skrapar, në të cilin duhet të tregohet kujdes në qarkullim.