"Identifikimi elektronik shmang votimin e shumëfishtë", gazetarja e Ora News: Vora do ta shpallë rezultatin në orën 20:00

Në 6 bashkitë e vendit sot, 6 mars po votohet për zgjedhjen e kryetarit të ri të bashkisë.

Vora, Rrogozhina, Durrësi, Lushnja, Dibra dhe Shkodra prej orës 07:00 të mëngjesit kanë hapur qendra e votimit.

Gazetarja e Ora News, Fjorela Beleshi nga Vora bën me dije se pritet që rezultati i Vorës të dalë në orën 20:00, vetëm një orë pas mbylljes së procesit të votimit.

Beleshi provoi me kartën e vet të identitetit të votonte në Vorë duke qenë votuese në bashkinë Tiranë dhe pajisja elektronike nuk e lejoi. 

"Dokumenti me numër I...nuk gjendet në listë. Në këtë rast nuk keni mundësi të votoni." 

Qytetarët e Vorës kanë votuar dhe do votojnë deri në orën 19:00 në mënyrë elektronike. Janë rreth 30433 zgjedhës me të drejtë vote të cilët sot do të zgjedhin të preferuarin e tyre mes 3 kandidatëve, Blerim Shera i PS-së, Lulzim Vrana i Shtëpisë së Lirisë dhe  Ymer Marku i PD.

Qëllimi i votimit elektronik është shmangia e votimit të shumëfishtë. Kjo ka qenë një masë e propozuar nga ana e opozitës dhe e marrë nga KQZ.

Në këtë mënyrë 1 votues nuk mund të votojë më shumë se sa një herë në një qendër votimi. 

Në Vorë pjesëmarrja deri në orën 14:00 është rreth 24%. Situata ka vijuar e qetë dhe pa përplasje.

"Identifikimi elektronik shmang votimin e shumëfishtë",