Zbardhen detaje nga ekzekutimi i nuses dhe vjehrrës në Korçë, autori ia dha rrobat e gjakosura një endacaku

Fatmira dhe Bukurie Bami, nuse e vjehrrë që u gjetën të vdekura të shtunën në banesën e tyre në Devoll, janë vrarë të paktën 24 orë para gjetjes së trupave. Ekspertët e mjekësisë ligjore kanë gjetur në duart e tyre flokë që dëshmojnë se gratë janë përleshur me autorin Ali Zili që hyri në banesë për të grabitur. Pas krimit 36-vjeçari drejt Korçës ku rrobat e gjakosura ia dhuroi një endacaku me qëllim humbjen e gjurmëve të ngjarjes.  

Policia e Korçës ka zbardhur detaje të reja nga krimi i dyfishtë i vrasjes së Fatmira dhe Bukurie Bamit, nuse e vjehërr mes tyre të cilat u gjetën pa jetë në fshatin Progër të Devollit.

Autori i krimit Ali Zili, tashmë i arrestuar, dyshohet se është përleshur me viktimat dhe i ka qëlluar ato me thikë 24 orë para gjetjes së trupave.

Burime nga grupi hetimor thanë se natën e vrasjes i dyshuari për ngjarjen është larguar nga fshati me një taksi në drejtim të Korçës, duke i thënë drejtuesit të mjetit se i ishte rrëzuar nëna.

Rrobat e gjakosura nga përleshja me dy viktimat, Ali Zili mësohet se ia ka dhënë një endacaku në Korçë.

Më pas 36-vjeçari ka blerë dis arroba të tjera në përpjekje për të fshehur gjurmët e krimit.

Pas ndalimit në banesën e tij, hetuesit kanë konstatuar se autori i vrasjes së dyfishtë ka pasur hematoma në duar, çfarë tregon se i ka goditur edhe me grushte viktimat gjatë përleshjes me to brenda në banesë.

Ndërkohë, në duart e njërës prej viktimave sipas policisë, janë gjetur flokë të autorit të krimit, çka konfirmon versionin e përleshjes.

Arrestimi i Ali Zilit u bë në shtëpinë e tij, në të cilën sipas vëllait të autorit, ishte kthyer rreth orës 5 të mëngjesit të së shtunës.

Për policinë motivi i ngjarjes mbetet grabitja pasi banesa e viktimave është gjetur e çrregullt pasi mesa duket 36-vjeçari ka kthyer gjithçka përpmbys me shpresën për të gjetur paratë.

Policia e Korçës ka bërë të ditur se vëllai i 36-vjeçarit kishte kryer disa herë njoftime në sallën operative për faktin se i dyshuari Ali Zili kryente akte dhune.