Zyra e Konsumatorit ngre zërin: S'ka krizë për miellin, mos bini pre e matrapazëve. Tatimet të ndërhyjnë, po bëhen spekulime

Kreu i Qendrës Kombëtare për Mbrojtjen e Konsumatorit, Hasan Staf teksa ka folur për dyndjen e qytetarëve për të blerë miell, tha se qytetarët po bien pre matrapazëve në mënyrë që të shesin drithërat dhe miellin.

Në një intervistë për Ora News, ai tha se  Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, duhet të ndërhyjë menjëherë, pasi është rritur çmimi i miellit, ndërsa ka shtuar se po përhapen shumë spekulime se s’ka rezerva ushqimore në vendin tonë.

Hasan Stafa: Është përhapur një panik, një panik shumë i rëndë. Ne nuk jemi në krizë nga furnizimi i drithërave dhe miellit, ne mund të prekemi nga kriza. Kjo nuk do të thotë që ne duhet të shkojmë në panik dhe të biem pre e matrapazëve.

Kjo nuk është zgjidhje, është një mashtrim që qytetarët po bien pre. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve të ndërhyjë sepse po bëhen spekulime. Përderisa nuk është ndërhyrë dhe brenda 8 ditësh rritet 3 herë çmimi i miellit, kjo do të thotë se nuk janë marrë masat. Kontrolli nuk është efikas këtu. Duhet t’u themi qytetarëve se për 3 milionë e 400 mijë po të jemi rezident në Shqipëria ka sasi drithërash të garantuar të rezervuara.