Vëllezërit Klistchko gati të marrin armët: Nuk na mbetet tjetër, vetëm të luftojmë

Ish kampionë bote në boks, të pasur, politikanë me poste në Ukrainë por tashmë kanë zgjedhur të zbresin në front, të rrëmbejnë armët e të luftojnë.

Vëllezërit Vitali dhe Vladimir Klitschko kanë bërë një thirrje në një video që Europa dhe Perëndimi të ndihmojnë t’i japin fund agresionit rus teksa kanë deklaruar se do të marrin armët për të luftuar.

“U bëjmë thirrje të gjithë partnerëve ndërkombëtarë që të shohin tragjedinë që po ndodh para syve tanë. Kjo luftë e pakuptimtë nuk do të ketë fitues, vetëm humbës. Ne duhet të qëndrojmë të bashkuar kundër këtij agresioni. Mos e lini të zgjasë. Evropa mbështet Ukrainën", thuhet në videon e përbashkët të vëllezërve Klitschko.

Por në një intervistë të fundit të dhënë nga të dy ish kampionët, ata e kanë pranuar se do të marrin armët pasi nuk ka zgjidhje tjetër në këtë situate të rëndë ku ndodhet Ukraina.

“Unë besoj te Ukraina, besoj te vendi im dhe besoj te populli tim. Nuk kam zgjidhje tjetër, duhet ta bëj këtë. Do të luftoj,” u shpreh 50-vjeçari Vitali Klitschko./Ora News/.