Vijon ndëshkimi ndaj Rusisë. Pas Championsit, edhe gara e Formula 1 në Sochi hiqet nga Botërori
Një shtet që kryen një aggresion nuk mund të ketë akses në botën e sportit. Duket se kjo është motoja që po udhëheq shumë organizma botëror të disa sporteve ku UEFA zhveshi Rusinë nga finalja e Championsit.
Tani radhën e ka edhe Formula 1 ku FIA në një mbledhje urgjente ka hequr nga kalendari i këtij sezoni të ri që do të nisë në Mars, çmimin e madh të Rusisë.
Gara që zhvillohet në Sochi nuk do të jetë në kalendar këtë vit, duke i dhënë një tjetër sinjal Rusisë për aktet që po bën ndaj Ukrainës.
Një ditë më parë ishte kampioni i botës në fuqi, Max Verstappen dhe më pas Sebastian Vettel të cilët deklaruan se nuk do të garojnë në Sochi këtë sezon madje sugjeruan që kjo garë të hiqej nga kalendari dhe kështu ndodhi.
Agravimi i situates do të ketë kosto të mëdha në çdo aspekt për Rusinë dhe të tjera vendime ndaj tyre në sport mund të vijnë në ditët e ardhshme./Ora News/.
