Brdariç: Titulli? Të fitojmë ndeshjet tona e më pas të ëndërrojmë

Java e 22-të e Superiores do të nisë me dy ndeshje të Premten, e ku njëra prej tyre është Skënderbeu-Vllaznia. Një takim që vendos shumë për fatin e të dyja skuarave ku vendasit kërkojnë mbijetesën ndërsa shkodranët Europën. Për trajnerin Brdariç, kjo ndeshje ka vlerësim maksimal.

“Me Skënderbeun është një ndeshje që e kemi vlerësuar maksimalisht. Ata janë një ekip që janë në vështirësi, kështu që do të luajmë shumë fort dhe ne do të kemi një organizim të mirë me top dhe pa top, në mënyrë që të mund t’i përballojmë. Më vjen keq për atë çfarë ndodhi në ndeshjen tjetër ndaj Partizanit. Sjellja ime duhet të jetë shumë më e mirë se sa ndeshjen e fundit ndaj Partizanit. Do të mbështes ekipin në mënyrën maksimale që do të kem nesër dhe do të jetë Elvis Plori, pastaj që do të ketë gjërat nën kontroll, por gjatë javës gjithsesi puna ka qenë e mirë. Jam një njeri emocional. Ndonjë herë e bëj për të mbrojtur lojtarët e mi, ndonjë herë e bëj për të kundërshtuar vendimet e gjyqtarëve, të cilët mendoj se me gjithë punën e vështirë që kanë, mendoj se ndonjë herë marrin vendime të ekzagjeruara ndaj nesh dhe na detyrohen disa shpjegime, kur japin p.sh një karton të verdhë shumë shpejt. Kur ne kërkojmë arsyetim për të diskutuar, ata na ndëshkojnë dhe ne kërkojmë më shumë nga puna e tyre”.

Trajneri i Vllaznisë në konferencën për shtyp shpjegoi situatën te skuadra ndërsa foli edhe për duelin Tirana-Laçi apo dhe shanset për titull.

Mungesa e Gurishtës dhe Hakajt, nuk na dobëson, përkundrazi ne kemi një ekip të fortë dhe do mundohemi t’i zëvendësojmë ato në mënyrën më të mirë të mundshme. Ne e kemi treguar edhe gjatë sezonit, që jemi një ekip i fortë. Më pas, e rëndësishme është që t’i shkaktojmë Skënderbeut humbjen e radhës dhe ne të marrim tre pikët, sepse kjo ka më shumë rëndësi. Sfida Tirana-Laçi? Ne mund të presim që kundërshtarët të bëjnë ndonjë gabim, por ajo që është e rëndësishme dhe që ne jemi më të përqendruar, është te ndeshja jonë ndaj Skënderbeut dhe është më e rëndësishme që të fitojmë ne. Për titullin, nëse ka vlerë, ne do të besojmë çdo gjë që është realiste, por ajo çfarë është më e rëndësishme, është sfida e radhës dhe kanë ngelur shumë ndeshje në dispozicion. Ne besoj që jemi të aftë t’i fitojmë të gjitha ndeshjet që kemi në dispozicion, por duhet t’i fitojmë ato dhe më pas të kemi mundësinë të ëndërrojmë”, deklaroi Thomas Brdariç në vigjilje të ndeshjes me Skënderbeun./Ora News/.