Polonia, Suedia e Çekia deklaratë të përbashkët: Nuk shkojmë në Moskë për playoffin
Në ditët e fundit të marsit janë parashikuar ndeshjet playoff të Botërorit 2022. Janë dy ndeshje të parashikuara për t’u luajtur në Moskë ku e para është Rusi-Poloni më 24 Mars dhe nëse ekipi vendas fiton, është vendosur që edhe ndeshja finale e çifteve të luhet në Moskë ku Rusia do të ndeshet me fituesin e çiftit Suedi-Republika Çeke.
Por situata e rënduar dhe përshkallëzimi i konfliktit ku Rusia ka sulmuar Ukrainën, ka bërë që këto tre Federata të Futbollit të vendosin të mos shkojnë në Moskë.
Në një deklaratë të përbashkët, Polonia, Suedia dhe Republika Çeke kërkojnë që për shkak të pasigurisë për të udhëtuar atje, UEFA dhe FIFA të ndryshojnë vendin e zhvillimit të këtyre ndeshjeve shumë të rëndësishme për të gjitha këto ekipe.

“Federatat e Futbollit të Polonisë (PZPN), Suedisë (SvFF) dhe Republikës Çeke (FACR) shprehin qëndrimin e tyre të vendosur që ndeshjet e play-off-it nuk duhet të luhen në territorin e Federatës Ruse. Përshkallëzimi ushtarak që po vëzhgojmë sjell pasoja të rënda dhe siguri dukshëm më të ulët për ekipet tona kombëtare të futbollit dhe delegacionet zyrtare”, thanë ata në një deklaratë të përbashkët.
Tashmë UEFA, pritet që në mbledhjen e jashtëzakonshme të marrë vendime të rëndësishme dhe delikate siç është edhe kjo kërkesë e tre Federatave të Futbollit./Ora News/.
