Plori: Arbitrat kanë stresuar lojtarët. Memelli: Humbëm 2 pikë me Vllazninë
Ndeshja me episode dhe tension në Korçë u pranua edhe nga dy trajnerët pas takimit që u mbyll 2-2.
Për zv/trajnerin Plori i cili zëvendësonte në stol pikërisht trajnerin Brdariç të pezulluar për kartona, lojtarët janë të stresuar e nuk janë të qetë pikërisht për shkak të sjelljes së arbitrave në fushë me vendimet e tyre.
“Ishte një ndeshje e fortë, e luftuar. Nuk e filluam mirë, kishim pak probleme në rreshtim. Sikur u bllokuam, por më pas u qartësuam taktikisht dhe përmbysëm rezultatin. Kishim mundësi edhe për golin e tretë, por loja pati episodet e veta. Penalltia dhe kartoni i kuq? Nuk dua të merrem me arbitrat, u bë e neveritshme kjo pjesë. Distancohemi me kreun, por duhet të punojmë si profesionistë. Barazimi nuk ishte pjesë e presionit, ishte një rast që ndodhi sot, por nuk e di, ishte diçka e veçantë… Sivjet ka ndikuar shumë arbitrimi te ne, edhe lojtarët prandaj u nervozuan. Duhet t’i qetësojmë, është detyra e ne stafit, por është e vështirë, e them me shpirt, edhe trajneri Brdaric ka marrë kartonë”, u shpreh Plori në reagimin e tij.
Në krahun tjetër, Migen Memelli thekson se skuadra bën gabime amatore duke ndëshkuar veten dhe me paraqitjen e bërë sipas tij, Skënderbeu humbi dy pikë.
“Vllaznia një kundërshtar shumë i vështirë, sepse me rivalët e tjerë ka bërë mjaft mirë. Në këtë pikë të kampionatit po na penalizojnë disa gabime, do thoja për të mos i quajtur amatoreske si ajo e rastit të parë, kur Dajan Shehi mund të kishte bërë një “out” ose goli i dytë po ashtu. Skuadra ka luajtur shumë mirë, por rezultati në fund nuk ishte ai që duhej. Nervozizmi i Zguros? Nuk është i qetë, unë doja që të ulë tensionet që nuk i bëjnë mirë as skuadrës sonë, as miqve të Shkodrës, por duke i tërhequr veshin publikisht, nuk na ndihmon ky lloj tensioni, por i agravon situtata dhe si e tillë bën që të kemi më pak lojë efektive në fushë. Mirë është që të rregullojë gjërat sepse ashtu na ndihmon edhe ne, por të mos harrojmë që është një djalë i çiltër dhe reagon pak si shpejt. Për rezultatin kam keqardhje, sepse është shumë e vështirë në kampionatin tonë kur rezultati shkon 2-0 që të kthehet, Ne kemi lojtarë pa përvojë dhe nga papjekuria e tyre edhe gabojnë, por këto janë gjëra që rregullohen në terren. Çdo pikë vlen, ndërsa sot ne kemi humbur dy pike”, deklaroi trajneri i Skënderbeut./Ora News/.
