Tirana me rekord negativ për tenderat, gjatë janarit 32 ankesa

Bashkia e Tiranës vijon të mbajë rekordin për numrin më të lartë të ankimimeve për tenderave të zhvilluar. Nga 32 raste të denoncuara në janar, 28 prej tyre i përkasin Bashkisë së Tiranës për kriteret dhe dokumentet e tenderave dhe kontestimet në vlerësimin e ofertave.

Bashkia e Tiranës nuk i ka ndalur prokurimet e dyshimta, pavarësisht ultimatumit të dhënë prej kreut të qeverisë, Edi Rama.

Sipas Buletinit të Komisionit të Prokurimit Publikm gjatë muajit janar janë ankimuar në total 32 procedura, nga të cilat 28 janë vetëm në Bashkinë e Tiranës.

Pas kryeqytetit vendin e dytë e mban  qarku i Durrësit me 5 ankesa dhe më pas Elbasani e Fieri ku janë ankimuar nga 1 procedurë.

Ndërsa 8 qarqet e tjera nuk kanë asnjë ankimim për tenderat e zhvilluara nga Bashkitë e tyre.

Sipas dokumentit të gjitha ankimimet e depozituara pranë Komisionit të Prokurimit Publik lidhen me procedurat e tenderave.

Ndërkohë mungojnë ankesat për koncensionet, lejet minerare, ankandet dhe ato në fushën e mbrojtjes dhe të sigurisë.

Sa i përket fazës se kur janë paraqitur ankesat, shihet se gjysma e tyre konkretisht 16 ankimime janë paraqitur gjatë vlerësimit të ofertave, ndërsa 16 janë në fazën fillestare ku operatorët kanë pasur rezerva për specifikimet teknike në dokumentet standarde të tenderit.

Shumica e ankesave lidhen me procedura që kanë në objekt të tyre sigurim mallrash, të paktën 26.

Në vendin e dytë janë ankesat për shërbime dhe më pas vijnë ato për punë publike.

Sipas buletinit, me 60 vendime të Komisionit të Prokurimit Publik janë shqyrtuar dhe zgjidhur 68 ankesa të paraqitura nga operatorët ekonomikë.

Kjo do të thotë që për të njëjtën procedurë mund të kenë pasur ankesë nga më shumë se një operator ekonomik.

Referuar këtyre të dhënave rezulton se 34 ankesa janë pranuar, ndërsa 29 janë refuzuar.

Për 3 raste është mbyllur çështja dhe 2 të tjera janë në përfundim të procesit administrativ.