Protesta për pronën, banorët mbajnë 1 minutë heshtje për deputetët te Kuvendi, kërkojnë lirimin e të arrestuarve

Banorët e Laprakës, "5 Majit", Paskuqanit dhe Shkozës vijuan protestën e përjavshme para parlamentit, për të kundërshuar shembjen e shtëpive nga bashkia e Tiranës. Pasi kërkuan takim me kryetaren e Kuvendit, ata u zhvendosën para Drejtorisë së Policisë së Tiranës, duke bërë thirrje për lirimin e protestuesve të shoqëruar për kundërshtimin e policisë në aksionin e IMT më 22 shkurt për shembjen e banesave.

"U sugjeroj të mbajmë një minutë heshtje për këta deputetë që janë nëpër këto institucione të vdekura."

E kanë nisur me një minutë heshtje protestën e radhës banorët e kryeqytetit që preken nga disa projekte të qeverisë dhe bashkisë.

Mesazhi ishte për deputetët të cilët nuk po reagojnë.

"Nëse doni të në bëni të gjithë ne kriminela, nëse keni kaq shumë vende nëpër rajone hajdeni dhe arrestojini të gjithë."

Ata kërkuan nga kryetarja e Kuvendit që ti takonte, ndërsa bënë thirrje për lirimin e 5 banorëve të "5 Majit", të cilët u arrestuan më 22 shkurt teksa kundërshtonin shembjen e banesave.

Banorët vijuan më pas me denoncimin e fushatës së shkatërrimit ndaj pronave të tyre.

"Ku do i çoni këta njerëz. Këtu janë ngritur kullat dhe si sheh njeri. Kulla te Sahati si nuk ja vret syrin asnjë parlamentari, asnjë qeveritari, i mbaruat dhe shkuat në periferi?"

Pas tubimit tek parlamenti, protetuesit u drejtuan para Drejtorisë së Policisë ku kërkuan lirimin e Laureta Nikollës, nënë e dy fëmijëve, e cila është e arrestuar që prej 22 shkurtit për shkak të rezistencës që bëri kundër shembjes së shtëpisë së saj.

"Lironi Lauretën, ka dy fëmijë. Një vajzë 4 vjeçare dhe një djalë në gji. Ka tre ditë aty."

Banorët e tjerë që kundërshtuan aksionin e IMT dhe u arrestuan janë dhe Gjin Nikolli, Ndue Marku, Mirash Marku dhe Agim Marku.

Qytetarët paralajmëruan se do të mblidhen para gjykatës të premten më 25 shkurt për t’u njohur me vendimin që do të merret ndaj protestuesve, ndërsa të dielën në orën 11:00 do të zhvillohet protesta e radhës para Kryeministrisë.