Berisha: Vladimir Putin dhe Rusia nisën de facto Luftën e Tretë Botërore, paqja mori fund me këtë agresion

Sali Berisha ka dhënë një deklaratë për mediet në ambientet e jashtme të Parlamentit. Ai ka dënuar sulmin rus ndaj Ukrainës dhe ka shprehur solidaritetin e popullit shqiptar me Ukrainës. Berisha u shpreh se Rusia do ta humbë këtë luftë dhe do marrë një fund tragjik, sipas tij të merituar.

Berisha: Me agresionin e hapur kundër Ukrainës së lirë dhe të pavarur, Vladimir Putin dhe Rusia nisën de facto luftën e tretë botërore. Paqja e vendosur pas Luftës së Dytë në kontinentin tonë mori fund me këtë agresion.

Shtoj këtu se Rusia de facto është vendi që filloi luftën e parë botërore sepse ajo nisi e para mobilizimin e përgjithshëm për të sulmuar Gjermaninë. Në Luftën e dytë Botërore dihet që diktatori nazist nisi Luftën e Dytë, por rrufeshëm në këtë Luftë u bashkua Rusia.

Së treti, Rusia e vetme pa asnjë motiv, përveç ambicieve të carit të saj sot sulmon një vend të lirë dhe të pavarur. Shqipëria është vend i anëtar i NATO-s. Rusia do ta humbasë këtë luftë dhe fundi i saj do të jetë më tragjiku që ka pasur ajo në gjithë historinë, një fund i merituar. Nuk mbetet gjë tjetër veçse të shprehim solidaritetin me popullin ukrainas dhe të dënojmë sulmin nga diktatori gjakësor Vladimir Putin.