"Luftë" betoniereve, bashkia Lezhë: Prej 1 qershorit asnjë punim në zonën e plazhit

Duke nisur nga data 1 qershor Bashkia e Lezhës ka njoftuar se nuk do të lejohet asnjë betoniere që të qarkullojë në zonën turistike. Ky vendim ka hasur në kundërshtinë e biznesit, ndërsa argumentojnë se kjo gjë do të ngadalësonte ekonominë.

Bashkia e Lezhës ka lajmëruar të gjithë bizneset se duke nisur nga data 1 qershor e këtij viti nuk do të lejohet që të kryhet asnjë punim në zonën turistike, dhe asnjë betoniere nuk do të qarkullojë.

"Sivjet do monitorojmë me kamera komplet territorin fillimisht në Shëngjin. Mos kemi fjalë pastaj "jo s'e bëra unë, jo e bëri ky." Vetë bizneset janë të papërgjegjshme, mos gabojë më njeri të vërë një tullë që nga sot e mbrapa. Bëri gabim e vuri dikush një tullë të paligjshme, do ta çoj në Prokurori," tha Ndreu.

Por ky vendim ka hasur në kundërshtimin e biznesit.

Duke e konsideruar si një sektor që gjeneron të ardhura, përfaqësuesit e biznesit thanë se bllokimi i punës në sektorin e ndërtimit gjatë sezonit të verës nuk është një zgjidhje e duhur.

"Ndërtimi është kontributori më i madh."

Institucionet lokale kanë paralajmëruar edhe masa të forta për ata biznese ose individë që ndotin mjedisin.

Përgatitjet për sezonin turistik në Shëngjin pritet të nisin që prej fillimit të muajit mars me qëllim që sezoni të jetë sa më i gjatë dhe i suksesshëm.