Aksident në Vlorë - Orikum: Makina përplaset me shtyllën, vdes 21 vjeçari, shoferi rëndë
Një aksident i rëndë u shënua sot, 23 shkurt, në aksin Vlorë-Orikun.
Makina tip “Ford Focus” me targa AA581GV, doli nga rruga dhe përfundoi e përplasur me një shtyllë betoni në një objekt pranë Radhimës.
Goditja ishte e forte.
Shoferi dhe pasagjeri që udhëtonin aty mbetën të plagosur dhe të bllokuar brenda mjetit.
Për pasojë të plagëve Savjo Dhimojani, 21 vjeç ndërroi jetë në Spitalin e Vlorës, ndërsa shoferi Arif Canaj ndodhet ende në gjendje të rëndë
Ndërsa shkaqet e përplasjes janë ende nën hetim.
Përgjatë shkurtit në rrugët e vendit janë shënuar disa aksidente të rënda, ndërsa muajin e parë të vitit u regjistruan 158 aksidente, me 17 viktima dhe 184 persona të plagosur.
Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT, vitit 2021 u mbyll me 197 viktima dhe 1860 të plagosur në 1.376 aksidente.
Shpejtësia e lartë e lëvizjes, përdorimi i celularëve dhe pijeve alkoolike, sipas ekspertëve janë shkaqet kryesore që po vrasin shqiptarët në rrugë.




