Kokainë "Eskobar" në kontejnerit me banane në Durrës, lirohet edhe administratori i dyti
Gjykata e Durrësit, ka vendosur të lirojë Klajdi Xibrakun, njërin nga aksionerët e kompanisë “Masabi Fruits”.
Kjo kompani ishte pritëse e kontejnerit me banane ku u gjetën plot 143 kg kokainë e pastër e ardhur nga Ekuadori.
Kokaina ishte mbështjellë me një ambalazh ku ishte vendosur fotoja e Pablo Eskobar dhe mbishkrimi "El Mijor".
Më përpara më 18 janar 2022 gjykata e Apelit Durrës kishte liruar edhe ortakun Erion Peti.
Ngarkesa me 143 kilogram kokainë u sekuestrua më 10 prill 2021 në Portin e Durrësit, pas një hetimi të nisur nga SPAK në bashkëpunim me prokurorinë lokale.
Pas vendimit të sotëm të gjykatës, duket se dosja e bujshme e kapjes së ngarkesës së konsiderueshme me kokainë është shfryrë brenda vitit pasi megjithë ngarkesën e madhe të lëndës narkotike në qeli nuk ka asnjë të akuzuar për rastin.
Hetimet e policisë pas sekuestrimit të sasisë së kokainës çuan në pranga dy persona, Erion Peti dhe Klajdi Xibraku nga Tirana, që të dy aksionerë të kompanisë së eksportit të frutave që kishte porositur ngarkesën e mbërritur në portin e Durrësit.
Mirëpo pas gati 10 muajsh qëndrim në burg, dy nga personat e arrestuar nga policia dhe prokuroria si të dyshuar dhe të implikuar në këtë linjë trafiku, janë liruar nga gjykata.
Të dy kushërinjtë bashkëpronarë të kompanisë "Masabi Fruits" u arrestuan menjëherë pas sekuestrimit të ngarkesës të dyshuar si të implikuar në këtë linjë trafiku
Por që në momentin e arrestimit, Xibraku dhe Peti, e kanë mohuar se kanë lidhje me trafikun e kokainës dhe mesa duket edhe policia e prokuroria nuk kanë arritur të furnizojnë gjykatën me prova të reja për ti mbajtur në qeli.
Gjatë marrjes në pyetje kanë pranuar se për shkak të biznesit që kishin, kanë udhëtuar disa herë në Ekuador me qëllim lidhjen e marrëveshjeve dhe kontratave për blerjen e bananeve dhe frutave të tjera ekzotike.
