Hetimet për incineratorët, Kryemadhi: Nisi si seancë amnistimi për Veliajn dhe përfundoi me shpëtimin e deputetit Bllako
Në mbyllje të seancës së dytë radhazi maratonë të komisionit hetimor, kryetarja e LSI Monika Kryemadhi ka dalë me konkluzionet e saj.
Kryemadhi thotë se Komisioni hetimor ditën e sotme, nisi si një seancë amnistuese për Erion Veliaj dhe përfundoi me shpëtimin e deputetit të PS Bllako nga përgjigjet publike për rolin e tij në aferën e inceneratorëve.
Ajo ka publikuar tabelën që tregon si babai i deputetit Bllako ka përfituar një pjesë të fitimit nga inceneratorët, si pagë për babain e tij, direkt i punësuar nga inceneratori i Tiranës. Pagë plot 10 milionë lekë në muaj për 16 muaj.
"Ky fakt dhe shumë fakte të tjera financiare tronditëse, i kemi vendosur në dispozicion të SPAK për hetimet e tij. Fakte të tjera tronditëse mund të dalin në dritë".
Për Kryemadhin, prova e vërtetë e integritetit qëndron tek prokurorët e SPAK dhe drejtësia e re.
"Nesër ndiqni filmin e radhës në Komision, ndërsa prova e vërtetë e integritetit qëndron tek prokurorët e SPAK dhe drejtësia e re. A do të funksionojë ligji kundër pushtetarëve që kërcënojnë qytetarët duke pretenduar se kanë kontrollin e SPAK? 2022 duhet të jetë viti i drejtësisë së vërtetë! Kjo është pritshmëria e çdo shqiptari".

