Lojëra fati të paligjshme, arrestohet pronari i lokalit dhe 3 persona të tjerë në Elbasan
Policia e Elbasanit ka arrestuar 4 persona, ndër ta dhe pronari i një lokali, i cili e kishte vendosur lokalin në dispozicion për ushtrimin e aktivitetit të kundërligjshëm të lojërave të fatit.
Në kuadër të operacionit policor të koduar "Poker 2" u arrestua K. K., 62 vjeç, banues në Elbasan, pronari i lokalit ku ushtrohej veprimtaria e kundërligjshme e lojërave të fatit. Gjithashtu u arrestuan shtetasit A. H., G. H. dhe R. B., klientë në lokalin e shtetasit K. K., të cilët u kapën në flagrancë duke ushtruar aktivitetin e kundërligjshëm të lojërave të fatit.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan një tavolinë pokeri, shuma parash dhe sende të paligjshme.
Materialet u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, për veprime të mëtejshme, për veprat penale "Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin", "Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara" dhe "Fshehja e të ardhurave".
