Vepronin të veshur me kamuflazh, zbulohet grupi i krutanëve që grabitën me dhunë në Kurbin

Tre të rinj nga Kruja janë identifikuar si pjesë e një grupi grabitësish të dhunshëm. Policia ka arritur të provojë se ata janë autorë të grabitjes me forcë të një banesë në Kurbin, ndërsa po hetohen për ngjarje të tjera.

Një grabitje me dhunë është shënuar më 12 Janar të këtij viti në fshatin Vinjoll të Kurbinit.

Ngjarja u mbajt e fshehur nga policia deri këtë të mërkurë, kur njoftoi se kishte arritur të zbardhë e dokumentojë grabitje.

Egli Durma, 21 vjeç, Islam Kabili , 30 vjeç dhe Gilmando Bami, 22 vjeç, të tre banues në Krujë, janë identifikuar nga blutë si autorë të dyshuar.

Deri tani është arritur të prangoset vetëm 21-vjeçari Egli Duema, ndërsa dy të tjerët janë shpallur në kërkim dhe vijon puna për kapjen e tyre.

Sipas policisë, mesnatën e 12 janarit kanë hyre në banesën e shtetasit A.L dhe përmes dhunës kanë mundur ti marrin shumën prej 150 mijë lekesh dhe kanë mundur të largohen.

Sipas dëshmisë së personit të grabitur, ata ishin të maskuar dhe mbanin veshur uniforma kamuflazhi.

Disa veshje të tilla, janë gjetur gjatë kontrollit në banesën e Elgli Durmës pas arrestimit.

Për rastin në fjalë, ata do të përballen me veprën penale "Vjedhja me dhunë” kryer në bashkëpunim".

Dyshimet janë se grupi i tre krutanëve mund të jetë autor edhe i grabitjeve të tjera, ndaj hetimet e prokurorisë vijojnë.