Ekskluzive/Kokaina me fytyrën e Eskobarit në Durrës, gjyqtarja liron nga qelia Erion Petin
Një ngarkesë prej 143 kg kokainë me profilin e trafikantit më të madh në botë Pablo Eskobar dhe me mbishkrimin “El Mijor”u kap nga policia shqiptare në portin e Durrësit.
E fill pas sekuestrimit të sasisë së kokainës në prangat e drejtësisë ranë dy persona, Erion Peti dhe Klajdi Xibraku nga Tirana, që të dy aksionerë të kompanisë së eksportit të frutave e quajtur “Masabi Fruits”.
Mësohet se pas gati 10 muajsh qëndrim në burg, njëri nga personat e arrestuar nga policia dhe prokuroria e Durrësit si i implikuar në këtë linjë trafiku, është liruar nga Gjykata e Apelit Durrës.
Bëhet fjalë për lirimin nga burgu të Erion Petit, i arrestuarit në muajin prill 2021, si person që dyshohej se ishte i përfshirë në trafikun e kokainës nga vendet e Amerikës Latine në Shqipëri.
Ai u ndalua së bashku me Klajdi Xibrakun, ku ky i fundit vijon të qëndrojë në qeli.
Tashmë edhe ai është duke e ndjekur të njëjtën linjë rrugore me atë që e nxori nga qelia, Erion Petin.
Që në momentin e arrestimit, Xibraku dhe Peti, e kanë mohuar se kanë lidhje me trafikun e kokainës.
Ndërsa gjatë marjes në pyetje kanë pranuar se për shkak të biznesit që kishin, kanë udhëtuar disa herë në Ekuador me qëllim lidhjen e marrëveshjeve dhe kontratave për blerjen e bananeve dhe frutave të tjera ekzotike.
Tashmë pritet që në ditët në vijim prokuroria e Apelit Durrës të ushtrojë rekurs në Gjykatën e Lartë, ku do kërkojë kthimin në burg të Erion Petit.

