Sherri nën efektin e alkoolit, zbardhet ngjarja në Vlorë. Përveç 37-vjeçarit që qëlloi në ajër, edhe 2 të arrestuar
Shkon në tre numri i të arrestuarve për të shtënat me armë tek ish-Fusha e Aviacionit në Vlorë, ngjarje e ndodhur pasditen e të hënës, 14 shkurt.
Policia e Vlorës në njoftimin për mediat thotë se krahas autorit të dyshuar se ka qëlluar me armë zjarri në ajër, 37-vjeçarit Ervis Dollani, janë arrestuar dhe Saimir Kaposhi dhe Kiri Alushi për veprën penale "Moskallëzimi i krimit", pasi nuk kanë njoftuar organet kompetente, për këtë ngjarje.
Ndërkohë Dollani akuzohet për veprat penale "Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, i armëve shpërthyese dhe i municionit" dhe "Prishja e qetësisë publike".
Ngjarja u regjistrua pasditen e djeshme, ku 37-vjeçari ka qëlluar në ajër me armë zjarri pistoletë në lagjen ”Bashkimi”.
Ora Neës mëson se gjithçka ka ndodhur pas konfliktit të Dollanit me dy shtetasit e tjerë.
Fillimisht janë përplasur verbalisht, më pas në konfrontim fizik.
Përballë disavantazhit në numër, Dollani ka nxjerrë pistoletën dhe ka qëlluar në ajër për ti trembur.
Mësohet se ka qenë Dollani ai që ka nisur konfliktin për shkak se ka qenë nën efektin e alkoolit.
Kaposhi dhe Alushi janë larguar menëjherë pas të shtënave dhe nuk e kanë kallëzuar në polici krimin.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
