Marrin shtëpitë turke, dorëzohen çelësat e 522 banesave në Laç, 218 familje marrin grante
Këtë të martë pritet që të përfundojë procesi i dorëzimit të 522 apartamenteve në Laç për banorët e prekur nga tërmeti tragjik i 26 nëntorit 2019. Edhe pse shtëpitë u inauguruan me 17 janar me ceremoni shtetërore, procesi u dorëzimit ishte vonuar për shkak të kalimit të pronësisë së truallit tek bashkia e Kurbinit.
Kjo e martë ishte një ditë e gëzueshme për Ndue Mirashin nga Laçi.
Pas më shumë se dy vitesh vuatje sa në një shtëpi në tjetrën, 85-vjeçari, i cili jeton i vetëm, sonte do të flejë në shtëpinë e tij të re të rindërtuar, pasi banesa ku kishte jetuar për shumë vite ju shkatërrua nga tërmeti i nëntorit të vitit 2019-të.
"E pabesueshme na u duk. Tani duhet e e mobilu, unë pensionist, nuk kam asgjë nga shtëpia e vjetër. Kur ika në Lezhë, kishin vjedhur çfarë ka pasur brenda".
Prej dy ditësh në Laç ka nisur shpërndarja e çelësave të 522-apartamenteve të ndërtuara me financim të qeverisë turke për familjet e prekura nga tërmeti.
"Sot përfundojmë total gjithë zonën prej 522 apartamentet dorëzimin e çelësave te banorët. Sa i takon banesave individuale, tashmë në bashkinë Kurbin 218 familje kanë preferuar të marrin grantin dhe të ndërtojnë banesën vetë."
Bashkia e Kurbinit ishte një ndër zonat më të prekura nga tërmeti i 26-nëntorit të vitit 2019-të dhe deri tani ka përfunduar rindërtimi i 522 shtëpive me financim të qeverisë turke, të cilat u inauguruan me 17 janar të këtij viti me prezencë dhe të presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdogan.

