Opozita në incineratorin e Tiranës, Zhupa: Nuk ekziston, kapanon i improvizuar me 8 punëtorë
Akuzat se bashkia e Tiranës ka paguar për një punë të pakryer në landfillin e Tiranës opozita ditën e sotme, 11 shkurt i ka faktuar në terren. Në vizitën në territorin ku është dhënë leja e koncesionit Jorida Tabaku kërkoi shpjegim nga administrate sa i përket zbatimit të kontratës. Fajin për mos realizimin e plotë të kontratës punonjësit ia veshin bashkisë.
Deputetja demokrate, Ina Zhupa në një lidhje të drejtpërdrejtë në Ora News me gazetarin Everest Dedaj u shpreh se më në fund bashkë me kamerat e televizioneve hynë në incinetarorin e Tiranë dhe faktuan atë që kanë thënë ka 4 vite e gjysmë.
Zhupa: Nuk ekziston incineratori i Tiranës, nuk ka as themele të hedhura, nuk ka asnjë gropë të hapur për të filluar punimet. Ne këtë e kemi thënë, kemi shkuar në landfill para 1 viti e gjysmë dhe kanë qenë të njëjtët persona që sot na pritën brenda, na nxorën punëtorët, na ndoqën mbrapa dhe nuk na linin të hynim brenda landfillit për të zbuluar këtë të vërtetë që në fakt ne e zbuluam sot para syve të gjithë shqiptarëve. Atje kishte një fushë bosh, një fushë me bar e cila po shpronësohet nga banorët e Sharrës sepse 60% i takonte bashkisë së Tiranës dhe 40% do të shpronësohej nga banorët. Ndodhej dhe një kapanon rreth 1000 metra katrorë në të cilin supozohet se do na hidhnin hi syve dhe të na thoshin se atje hidheshin mbetjet e tre qyteteve, Durrësit, Tiranës dhe Kavajës. Atje u demaskua totalisht propaganda e ngritur. Ne kemi paguar deri tani 35 milionë euro për të groposur mbetjet ashtu siç i groposnim më parë në landfillin e Sharrës para se të paguanim këtë koncesion. 35 mln euro janë në xhepat e atyre që janë në kërkim ndërkombëtar, ndërsa total fatura është 436 mln euro. Në kontratë e kanë 128 mln euro, pasi edhe në kontratë fshehin kostot reale. Ne nuk paguajmë 128 mln, por do të paguajmë në total 436 mln euro.
Zonja Zhupa shtoi se kapanoni kishte vetëm 8 punonjës të cilët bënin ndarjen e mbeturinave me duar në mënyrë manuale. Ajo shtoi se PD përveçse po krijon një dosje voluminoze me të gjitha shkresat dhe kthim përgjigjet, kontratat, pagesat, do ta pasurojë edhe me vizitën e kryer sot, 11 shkurt në terren.
Zhupa: Kemi hyrë, kemi bërë foto në ambientet që ata kishin improvizuar. Për ne këto janë prova se si është keqpërdorur paraja publike dhe nuk është përdorur në funksion të asaj që i është thënë publikut dhe është propaganduar nga qeveria. SPAK duhet të na i shpjegojë se ku shkojnë 70% të parave të shqiptarëve? Nuk besoj se i marrin vetëm ata që janë në kërkim ndërkombëtar, por ka koka të mëdha, peshq të mëdhenj që janë në krye të qeverisë dhe anëtarë të kabinetit qeveritar.
Ajo shtoi se kjo që po ndodh është një aferë e pastër dhe qytetarët duhet të jenë sa më të informuar. Zhupa u shpreh se drejtësia duhet të tregojë se kush e ka radhën pas Lefter Kokës, duhet të tregojë se kjo aferë e madhe e stisur që nga fillimi të mund të marrë drejtësi për taksat e qytetarëve shqiptarë dhe për atë që mund të ishin bërë me këto para nëse do të ishin investuar për gjëra të tjera.
