"Shqipëria nuk ka nevojë për incineratorë", Ferruni: Skemë për të maksimalizuar fitimet, plehrat fitimprurëse për mafien

Akuzat se bashkia e Tiranës ka paguar për një punë të pakryer në landfillin e Tiranës opozita ditën e sotme, 11 shkurt i ka faktuar në terren. Në vizitën në territorin ku është dhënë leja e koncesionit Jorida Tabaku kërkoi shpjegim nga administrate sa i përket zbatimit të kontratës. Fajin për mos realizimin e plotë të kontratës punonjësit ia veshin bashkisë.

Ambientalisti Lavdosh Ferruni i ftuar në studion e RTV Ora me gazetaren Besmira Pelushaj tha se jemi në situatën që kemi një landfill.

Ferruni: Rreziku i madh që është shqetësim për ne ambientalistët është që për 30 vitet e ardhshme sipas këtij studimi fizilbiliteti dhe kontratës duhet të vazhdojmë me një rrymë, me një kosh. Kjo është e paimagjinueshme që të vazhdojmë akoma mos i ndajmë mbetjet në burim dhe të riciklojmë në epokën e sotme. Po e marrim në këndin e menaxhimit të qëndrueshëm të mbetjeve në vitet e ardhshme. Duke mos u ndarë mbetjet, duke shkuar përsëri në një landfill kemi humbje si shoqëri dhe vendi do të vazhdojë te jetë i pisët nëse nuk kemi një skemë të mirëfilltë. Në këtë kontekst duhet marrë seriozisht fakti i anulimit të këtyre koncesioneve dhe rishikimi i gjithë politikës së menaxhimit të mbetjeve. Të ndryshohet totalisht skema që është funksionale. Kjo duhet të përmbyset menjëherë dhe duhet të kthehemi te investimi për riciklimin. Nëse ti i riciklon këto mbetje nuk ka nevojë për incinerator Shqipëria. Nëse do kishte vetëm një incinerator mund të bënte sens, por fakti që janë 3 incineratorë është e qartë se kemi të bëjmë me një aferë të mirëfilltë korruptive.

Ambientalisti shtoi se "kjo është një skemë për të maksimalizuar fitimet pasi dihet që plehrat janë fitimprurëse për mafien." Më tej shtoi se ka pritshmëri nga investigimi që ka bërë ai si ambientalist dhe qytetar i interesuar.

Ferruni: Nuk kemi të bëjmë me incinerator. Pyetja e madhe që deri sot nuk i ka dhënë njeri përgjigje, as Komisioni, as specialistët, as SPAK është sa është vlera e një incineratori real në tregun ndërkombëtar. Unë kam bërë kërkime dhe kam gjetur  një referencë. Incinerator, ky i Fierit për shembull me 200 ton mbetje në ditë kapacitet që duhet të incinereroheshin kushton 50 maksimumi 60 milionë euro një incinerator i tillë. Pyetja e madhe është këto vegla, pajisje, pjesë që janë montuar në Elbasan apo në Fier çfarë  vlere kanë? Në 2013 morëm një informacion që nga Holanda do vijë në Shqipëri një incinerator i përdorur. Nuk ka incinerator me 5 milionë euro, bën 200-300 mijë euro një incinerator. Çfarë janë këto që kanë ardhur këtu? Ky është problem i madh. Kjo është pika që duhet investiguar më tepër, nga kanë ardhur këto pjesë dhe sa kanë kushtuar.

Ambientalisti tha se kjo çështje nuk mund të mbyllet ashti si janë mbyllur dhe të tjerat, pasi plehrat janë një problem i madh për vendin dhe situata vetëm agravohet.