Zbulohet "shtëpi bari" në Ndroq, organizatorja mori me qira banesën, arrestohen dy punonjës të OSHEE-së, në hetim polici
Një banesë është marrë me qira në fshatin Ndroq të Tiranës për tu përdorur për kultivimin e lëndës narkotike.
Policia ka vënë në pranga tre persona. Laboratori i drogës është zbuluar në fshatin Pinet në Ndroq të Tiranës
Sipas policisë Rudina Xh., 32 vjeçe, e cila kishte marrë me qira banesën dhe bashkëpunonte me Eriban D., i cili u kap brenda shtëpisë së barit. Në pranga kanë rënë dhe dy punonjës të OSHEE-së ndërsa në hetim është vënë polici dhe kryeplaku.
“Ata nuk kanë konstatuar lidhjet e paligjshme të energjisë elektrike në këtë ambient, në zonën që ata kishin në monitorim” informoi policia.
Në hetim është vënë kryeplaku i fshatit Pinet, Elez K., 61 vjeç, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe Punonjësi i Policisë së Komisariati Nr. 6 Adrian M., 39 vjeç, me detyrë Ndihmës Specialist për Policimin në Komunitet, në zonën e Ndroqit.
Sipas policisë organizatorja e kësaj veprimtarie, është Rudina Xhambazi, e cila kishte marrë banesën me qira.
Ajo është shpallur në kërkim.
"Në kuadër të këtij operacioni, u shpall në kërkim për veprat penale "Kultivimi i bimëve narkotike" dhe "Vjedhja e energjisë elektrike ose impulseve telefonike" kryer në bashkëpunim, shtetasja R. Xh., 32 vjeçe, e cila kishte marrë me qira këtë banesë.
Shtetasja R. Xh., banesën e marrë me qira prej saj, së bashku me shtetasin E. D., i cili u kap në banesë gjatë ndërhysjes së shërbimeve të Policisë, e kishin përshtatur për kultivimin e bimëve narkotike me anë të llambave, ndërsa punonjësit e OSHEE, nuk kanë konstatuar lidhjet e paligjshme të energjisë elektrike në këtë ambient, në zonën që ata kishin në monitorim" informoi policia më 12 shkurt 2022.
Gjatë zhvillimit të operacionit janë sekuestruar 247 bimë kanabis të kultivuara në vazo, 45 ushqyes elektrikë, 46 llamba elektrike, 11 freskuese, shuma prej 120.000 lekë të rinj dhe 7 aparate celulare.
Operacioni u zhvillua nga policia e Tiranës dhe komisariati 6 u kodua "Pinet".
(Shenim: Lajmi fillimisht u publikua me 11 shkurt. U përditësua më 12 shkurt me njoftimin e policisë mbi këtë operacion)

