"Para belgëve si bashkëpunëtor me krimin", Berisha zbardh dëshminë e Bashës në SPAK: U kap si mashtrues nën betim

Kreu i PD-së, Lulzim Basha, u tregua hermetik pas dy orëve marrje në pyetje nga prokurorët belgë në SPAK, por për këtë u kujdes ish-kryeministri Sali Berisha, duke zbuluar detaje nga dëshmia e tij për dosjen Toyota Yaris.

Nga Durrësi, ai i bëri thirrje deputetit demokrat të qytetit bregdetar Xhaferraj që tu thotë të vërtetën durrsakëve për kryetarin e partisë.

Por Berisha nuk hezitoi të deklarojë se Basha u thirr për bashkëpunim me grup kriminal që transportonin para të trafikut të drogës.

Madje sipas tij, Basha u kap si mashtrues nën betim.

Berisha: Ti bëj një pyetje ish-kryetarit dhe deputetit të Durrësit, Ferdinand Xhaferaj, hajde thuaju zgjedhësve tu çfarë deponoi Basha mbrëmë para prokurorisë belge, mos ua fshih, duhet tua thuash, mos u bëj hipokrit, të kanë votuar. Tregoju njerëzve se çfarë bëri. U thirr për bashkëpunim me një organizatë kriminale që transportonte para trafiku. Jo vetëm kaq, por u kap si mashtrues nën betim. Ferdinand hajde këtu t'ua themi të vërtetën durrsakëve, mos dil nëpër qytet fare ose tregoji çdo demokrati. Por mos harroni se prokurorët e Belgjikës nuk janë prokurorët e Edi Ramës, janë betuar para Mbretit dhe nuk ka gjë që e thyen atë.

U kishte dhënë variant krejt tjetër, e ndërroi krejt pllakën, Menjëherë u konstatua se ishte mashtrim nën betim, vepër kriminale, vepër penale, përveç të tjerave. Ja mbylli Edi Rama Toyota Yaris me një njeri por prokurorët e Belgjikës nuk janë prokurorët e Edi Ramës, do ti shkojnë deri në fund këtij operacioni, kanë me qindra e mijëra tabulate, dokumente, prandaj Basha nuk guxon të vijë të paraqesë Luanin këtu por fshihet pas fustanit të Gridës dhe mustaqeve të Salianjit. Luan hiq dorë! Çdo votë, u bëj thirrje demokratëve për Ardi Mukën.