Pandemia në Shqipëri, 10 mijë vdekje më shumë se sa normalja

Pandemia në Shqipëri, 10 mijë vdekje më shumë se sa
Një ambulancë pranë shërbimit Infektiv në Tiranë, ku po trajtohen pacientët me COVID-19. Foto: LSA

Shqipëria mbylli vitin 2021 me 30,580 vdekje, shifra më e lartë në shumë dekada dhe një shifër rreth 40% më e lartë se sa mesatarja shumëvjeçare e periuhdës para pandemisë së koronavirusit të ri.

Të dhënat e Institutit të Statistikave të publikuara të premten sugjerojnë se gjatë vitit të kaluar, ashtu si edhe gjatë vitit 2020, numri i vdekjeve është në mënyrë dramatike më i lartë se sa normalja dhe se shkaku kryesor i vdekjeve kaq të larta ka gjasa që është vdekjet nga COVID-19 të padiagnostikuara si të tilla.

Në një vit të zakonshëm në Shqipëri ka 20 deri në 22 mijë vdekje dhe numri i vdekjeve ka një luhatshmëri shumë të vogël me një tendencë rritjeje përgjatë dekadave, si pasojë e plakjes së popullsisë.

Por në vitin 2020 numri i vdekjeve kërceu në 27 mijë ose 26% më e lartë se sa mesatarja e katër viteve paraardhëse ndërsa në vitin 2021, vdekjet u rritën edhe më tej në mbi 30 mijë, shifra më e lartë e shënuar ndonjëherë në vend për aq kohë sa vendi ka pasur një sistem të gjendjes civile.

Kriza e koronavirusit të ri nisi në pranverën e vitit 2020 ndërsa Shqipëria ia doli mirë deri në vjeshtën e atij viti, me një numër minimal rastesh dhe vdekjesh.

Por ndërsa zgjedhjet e vitit 2021 u afruan, qeveria refuzoi të ndërmarrë masa të reja kufizuese, gjë që solli një numër shumë të lartë rastesh përgjatë dimrit 2020-2021 dhe vjeshtës dhe dimrit të vitit të kaluar.

Kulmi duket se u shënua në muajt shkurt e mars 2021 kur në vend kishte në çdo kohë mbi 30 mijë të sëmurë të diagnostikuar zyrtarisht me COVID-19.

Qeveria shqiptare është kritikuar në mënyrë të vazhdueshme për kapacitete e ulëta diagnostikuese për identifikimin e rasteve me COVID-19 gjë që mund të jetë shkak për mosidentifikimin e duhur të rasteve me COVID-19 dhe për vdekje që mund të ishin shmangur.

Numri i vdekjeve gjatë vitit të kaluar ishte gjithashtu për herë të parë në historinë statistikore të vendit më i lartë se sa numri i lindjeve ndërsa shtesa natyrore e popullsisë ra për herë të parë në territor negativ.

Sipas të dhënave të INSTAT, gjatë vitit 2021 pati 27,284 lindje, ose 3,296 më pak se sa numri i vdekjeve./ BIRN