Rama: Trajtimi tek "5 Maji" e "Lapraka" si me Tërmetin 2019. Banorët ende skeptikë: Fjalët i merr era

Kryeministri Edi Rama deklaron se banorët që do të preken nga projekti i rindërtimit tek “5 Maji” dhe projekti i "Unazës së Madhe" në Laprakë do të trajtohen si banorët banesa e të cilëve u dëmtua nga tërmeti i 2019.

Edi Rama: “Fakti është që për të gjithë banorët, qoftë të “5 Majit” qoftë për të Unazës do të ketë një trajtim të dinjitetshëm, njerëzor, solidar njësoj siç u bë me ata që humbën shtëpitë nga tërmeti. Për ata me çertifikatë pronësie nuk kemi çfarë të diskutojmë. Ose kompensim me këmbim, që ata të marrin më shumë sesa kanë si pronë duke qenë pronar, ose shpërblim financiar" 

Për ata që janë pa letra, siç është rasti i nënës këtu (i drejtohet nene Lizës) nuk është hedhje në rrugë.  Shtëpia që është pa leje prishet dhe familja merr kompensimin me shtëpi, njësoj si ata që mbeten pa shtëpi nga tërmeti. Dhe deri ditën e marrjes së shtëpi marrin bonusin e qirasë"

Deklarata u bë pas takimit që Rama pati me një përfaqësi prej 3 banorësh të cilët u përzgjodhën në mesin e protestuesve të mbledhur para Kuvendit pasi kundërshtojnë shembjet e shtëpive pa arritur më parë një kontratë marrëveshjeje me ta. Mes tyre ishte dhe nënë Liza. 

Rama akuzon mediet

Rama thotë se banorët kanë qenë në dijeni që në qershorin e kaluar kur janë njoftuar për shembjet dhe akuzoi disa kanale mediatike për keqinformim të qëllimshëm

Edi Rama: “Kemi pasur një bisedë intensive. Unë kam sqaruar atë që ka qenë e vërteta qysh ditën e parë por e vërteta këtu i ka të vështira rrugët sepse ka shumë pengesa, kthesa e devijime të qëllimshme që bëhen edhe me ndihmën e kanaleve mediatike që kanë interesat e tyre"  

Rama tha se një trajtim i tillë nuk bëhet as në Europë.

”Nëse ka diçka të ngjashme na tregoni. Shkoni në Turqi e na tregoni.Asnjëherë nuk jepet asgjë pa kredi të butë. Kjo ka qenë e qartë në qershor por kur futen xhagajdurët dhe politika në mes gjërat bëhen çorat"

Banorët skeptikë

E ndërsa banorët vijojnë të jenë skeptikë Rama thotë se këto marrëveshje do të regjistrohen në kadastër si detyrim shteti ndaj banorëve. 

"Sigurisht që këto janë fjalë, ato që unë lexova janë letra të pafirmosura. Do të ulen banorët do të lexojnë letrat do firmosin. Këto marrëveshje do të regjistrohen në Kadastër si detyrim shteti ndaj banorëve dhe në momentin kur mbaron ndërtimi e shtëpia është gati, do futen në shtëpi. Kërkesa që e duam shtëpinë siç e kemi nuk mund tia zgjidhim dot “ tha Rama.

Nënë Liza: Nuk dua fjalë në hava. Dua kontrata e firma. Pse më lëtë ta ndërtoja shtëpinë para 30 viteve"   

Edi Rama: E do shtëpinë tani këtu po nuk ta sjell dot.

Nënë Liza: Asnjë garanci i merr fjalët era.

Kryeministri tha se deri tani janë 51 familje që kanë firmosur.