Braçe: Pse është dyfishuar çmimi i plehrave kimike? Krifca i "lë topin" tregut global

Deputeti socialist Erion Braçe në seancën e sotme parlamentare ka kërkuar shpjegime nga ministrja e Bujqësisë Frida Krifca. Sipas  tij, ekonomia është rriutr por jo bujqësia dhe më shumë se 45% e popullsisë që jetojnë në fshat janë të përjashtuar nga rritja ekonomike.

Pjesë nga Interpelanca

Braçe: Ekonomia është rritur, por jo bujqësia. 45% e popullsisë së vendit që ndodhet në fshat duket si e përjashtuar nga rritja ekonomike, kjo është pabarazi. Rritja ekonomike me pabarazinë si kosto është iluzion. Ka arsye pse ndodh kjo. Në bujqësi kanë rëndësi 2 elementë, kostot e prodhimit dhe çmimet e produkteve bujqësore. Nëse kostoja rritet dhe në të ndikojnë nafta, plehra dhe çmimin te prodhimit bujqësor mbeten në vend, bujku falimenton, nëse ndodh dhe për një cikël të dytë prodhimi s'ka më para për të mbjellë. Ka tre probleme të mëdha këtu, e para është bllokimi i tregut nga karteli i grumbulluesve, skema e TVSH-së që ne bëmë në dhjetor dhe nuk lejon që në derë të secilit këtyre bujqve të paraqitet një grumbullues që merr përsipër një humbje 20 % mbi kurrizin e vet dhe e treta humbja e krahut të ri të punës që po e bën më të shtrenjtë punën në bujqësi.

Krifca: Rritja e çmimeve dhe inflacioni është një sfidë për të gjithë. Të ndërgjegjshëm, të shqetësuar si ju si dhe për peshën që sektori mbart qeveria shqiptare qëndron në krah të fermerëve. Buxheti i akorduar për ta është më i larti që nga viti 1991, me 3.2 mld lekë në mbështetje të drejtpërdrejtë. Po e ndjekim situatën e çmimeve me shumë vëmendje. Jemi të vëmendshëm që kjo situatë të mos shfrytëzohet në mënyrë spekulative nga ofrues të imputeve bujqësore. Rritja e çmimeve të plehrave kimike reflekton ndikimin e rritjes globale të çmimeve të inputeve.