Xhaferraj i kërkon llogari Ballukut për Portin e Durrësit, ministrja: Kemi bërë garë transparente

Deputeti demokrat i qarkut të Durrësit, Ferdinad Xhaferraj gjatë seancës së sotme plenare kishte kërkuar interpelancë me ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku. Qëllimi i interpelancës ishte dhënia e informacioneve dhe shpjegimeve në lidhje me Portin e Durrësit. Për opozitën, projekti për këtë Port është një aferë e madhe korruptive.

Pjesë nga Interpelanca

Xhaferraj: Sot nuk do merrem me tenderat korruptivë që zhvillohen në çdo zyrë të kësaj qeverie. Porti i Durrësit ka një masterplan të harruar në vitin 2009, nuk është harruar nga kompani që ndërtojnë kulla. Masterplani përcakton se Porti i ka mundësitë të shtojë me 3 herë kapacitetet për përpunimin e mallrave. Edi Rama vendosi ta nxjerrë Portin nga boshti perëndimor për ta kthyer në një kompleks kullash. Ai është shprehur për ndërtimin e një porti turistik me një vlerë investimi 2 mld euro. Punimet nuk kanë filluar, ndërkohë jemi informuar se kompani Emaar nuk ka asnjë lidhje me këtë projekt. Në  mungesë të transparencës ka shumë pyetje pa përgjigje. Cilat do të jenë mënyrat e financimit të këtij projekti? Pyetjet fillojnë që nga mungesa e transparencës. A mundet ta fillojë shpjegimin duke qartësuar se sa % do shkojë për portin e jahteve dhe sa %  për kompleksin luksoz? Mirëpres pjesën e dytë të interpelancës për të paraqitur fakte.

Balluku: Zoti Xhaferraj kanë ardhur disa letra nga deputetët e grupit tuaj dhe i kemi dërguar përgjigje të detajuar. Me Portin e Durrësit, nga viti 2009 ka ndryshuar shumë në Republikën e Shqipërisë, as shumë sa as ju vetë nuk i mohoni dot  ndryshimet dhe veprat. Vendi ynë nga 2013 dhe deri më sot jeton në ditë dinamike ku projektet e reja sjellin risi çdo ditë. Nuk e di pse e merrni mundimin dhe i referoheni planit të  2009, ndërkohë ka një plan i cili është shpallur në vitin 2016. Ekziston një plan i integruar i vitit 2016 dhe është bazuar mbi konceptin e hapësirës së mirë-menaxhuar ku harmonizohen nevojat për zhvillimin ekonomik. Elementi i tretë është desatinacioni autentik. Kemi një plan tjetër të transportit detar i miratuar në vitin 2020 pasi Shqipëria ka një vijë të gjatë detare. Portet përfaqësojnë një potencial shumë të madhe për zhvillimin ekonomik të vendit. Janë parashikuar ndërhyrje të thella në zonën portuale Durrës-Porto Romano. Përmes një gare transparente ne kemi bërë një garë ndërkombëtare ku kanë marrë pjesë 14 kompani për dizenjimin e projektit të detajuar të Porto-Romanos. Duke u bazuar në planet që unë përsërita dhe jo në plani tuaj të 2009 është marrë vendimi që Porti i Durrësit të jetë zonë industriale e cila ka një plan të pastër zhvillimi infrastrukturor. Nuk e di ku e keni parë mungesën e transparencës zoti Xhaferraj.