Zbardhet vendimi, GJKKO: Anëtarja e KPK-së, nuk justifikon pasurinë, i jep gjashtë detyra prokurorit të SPAK

Një tjetër zyrtare e administratës së Vettingut është vendosur në hetim lidhur me çështjen e pasurisë. Gjykata ka urdhëruar SPAK-un të hetojë anëtaren e KPK Brunilda Bekteshi lidhur me blerjen e një apartamenti pas dyshimeve për pasaktësi në deklarimin e kohës së kontratës por edhe burimin e financimit.

Gjykata e posaçme i ka lënë detyra prokurorisë për vazhdimin e hetimeve ndaj anëtares së KPK Brunilda Bekteshi, pak kohë pasi prokuroria ka vendosur të marrë të pandehur anëtarin e Komisionit të Posaçëm të Apelimit, Ardjan Hajdari.

Gjyqtari, Erjon Bani, ka zbardhur vendimin ku kërkon rihetimin e dosjes ndaj komisioneres së KPK-së, Brunilda Bekteshi.

Ajo është kallëzuar në SPAK nga ish-prokurori Bujar Hoti dhe Shoqata “Drejtësisë për Drejtësi”, për akuzën e “Falsifikimit të dokumenteve” dhe “Mosdeklarim e fshehje të pasurisë”.

Gjyqtari ka kërkuar që prokurori Dritan Prençi të kryejë 6 detyra hetimore mes të cilave edhe një akt-ekspertimi kontabël nëse Bekteshi ka pasur mundësi financiare për blerjen e një apartamenti të dytë.

Bazuar në dokumentet e paraqitura nga vetë prokuroria SPAK, rezulton se Bekteshi dhe familja e saj, kanë jetuar për disa vite me një kosto prej 8700 lekë të reja në muaj, një shifër e cilësuar si jo-logjike për nivelin ekonomik të vendit.

Gjykata ka administruar kontratën për blerje apartamenti 1+1, me sipërfaqe 75 metra katrorë, të nënshkruar nga Bekteshi në dhjetor 2007, plot një vit para asaj që Bekteshi ka shënuar në formularin e pasurisë.

Sipas kontratës, zyrtarja e Vettingut e ka blerë apartamentin 75 metra katrorë me çmim 3.1 milionë lekë të reja dhe shuma është likujduar jashtë zyrës noteriale.

Gjykata konstaton se blerja është bërë në Dhjetor 2007 dhe jo në Dhjetor 2008, sikurse është deklaruar në formularin e pasurisë.

Po ashtu, ai nuk është blerë me kredi në vlerën 54 mijë euro, por pagesa është bërë në shumën 3.1 milionë lekë, para nënshkrimit të kontratës.

Bazuar në përllogaritjet e gjykatës, referuar të ardhurave të mbështetura në dokumentacion ligjor, si edhe duke përfshirë edhe shpenzimin për blerjen e apartamentit, rezulton se familja Bekteshi e përbërë nga 3 anëtarë në atë kohë, ka pasur në dispozicion mesatarisht 98.067 lekë në vit ose 8172 lekë të reja në muaj.

Nisur nga ky konstatim, gjyqtari Bani, ka ngritur dyshime se komisionerja e Vettingut, Brunilda Bekteshi, nuk ka pasur burime të mjaftueshme të ligjshme për blerjen e apartamentit në vitin 2007.