Autoriteti i Konkurrencës heton rritjen rekord të çmimit të hidrokarbureve
Rritja rekord e çmimit të hidrokarbureve po hetohet nga autoriteti i konkurrencës. Kreu i këtij institucioni tha para komisionit të ekonomisë se prej një javë ka nisur monitorimi i tregut lidhur me dyshimet mbi një marrëveshje të fshehtë mes bizneseve. Denar Biba sqaroi para deputetëve edhe vendimin për të mos gjobitur 4 kompanitë për rritjen e çmimit të miellit.
Sipas tij, vetëm rritja e çmimeve nuk mjaftonte për të vendosur gjoba, megjithëse hetimi për këtë çështje vijon ende.
Autoriteti i Konkurrencës njofton se ka nisur monitorimi i tregut të hidrokarbureve teksa çmimi i naftës ka arritur çmimin rekord prej 195 lekë për litër. Lajmi u bë i ditur nga kreu i këtij institucioni Denar Biba në seancën dëgjimore në Komisionin e Ekonomisë.
“Ne kemi vendosur prej një jave monitorimin e tregut të hidrokarbureve, pra indikatori ishte rritja e menjëhershme në unison e çmimit, mund të jetë një nga indiciet e një marrëveshje të ndaluar, mund të jetë e ndikuar nga tregjet e jashtme, prandaj kemi vendosur hetimin për një periudhë që të jetë sa më e shpejtë brenda kapaciteteve tona.”
Ndërkohë, kryetari i Autoritetit të Konkurrencës ka dhënë llogari para deputetëve të Komisionit të Ekonomisë se përse nuk janë ndëshkuar kompanitë e importit dhe prodhimit të miellit për rritjen e çmimit të bukës dhe nënprodukteve të saj.
“Pas raportit te monitorimit 1-vjeçar na u qartësua bindja se periudha nuk ishte e mjaftueshme për aplikimin e një gjobe. Ne konstatuam se nuk kishte rritje te fitimeve, por kishte dhe ndërmarrje ne humbje. Nuk u krijua bindja se jemi para një karteli edhe në atë mbledhje u argumentua se duhet një periudhe monitorimi më e gjatë.”
Deputetja demokrate Jorida Tabaku ka kërkuar të dijë se përse Komisioni i Konkurrencës ndryshoi qëndrim, duke qenë se kanë pranuar se ka pasur një bashkërendim të çmimeve. Por Autoriteti i Konkurrencës e justifikoi vendimin me argumentin se pati rritje të çmimeve në tregjet ndërkombëtare, që u reflektua dhe në tregun shqiptar.
Denar Biba mohoi të ketë pasur një propozim për gjobë edhe pse ka një dokument që provon se Sekretariati i këtij autoriteti ka kërkuar gjobitjen e 4 kompanive.
Drejtuesi i këtij institucioni bëri me dije se ky treg është ende në hetim dhe në shtator të këtij viti do të jepet vendimi final për 4 kompanitë.
