Integrimi? Diplomati italian: Gjithë këto vite kemi bërë nxemje, me hapjen e negociatave nis ndeshja e vërtetë

Italia mbetet ndër avokatet më të zëshme pro integrimit të Shqipërisë në BE.

Por ambasadori  italian, Fabrizio Bucci, duke folur nga Shkodra tërhoqi vëmendjen se hapja e negociatave është vetëm pika e nisjes së integrimit dhe jo stacioni i mbërritjes siç sipas tij e proklamojnë politikanët shqiptarë.

"Shqipëria një ditë do të jetë pjesë e unionit, por kur është pyetja që lind?Me rëndësi është se kur të hapen negociatat duhet ecur me ritme shpejta me kapitujt, pasi asnjë kapitull nuk kalon pa përmbushur kriteret. Negociatat nuk janë pikë mbërritje si shumë politikan e deklarojnë në Shqipëri, por është pika e nisjes së proçesit të integrimit. Gjithë këto vite kemi bërë nxemje, me hapjen e negociatave nis ndeshja e vërtetë".

E në këtë proces ai shqetësim sheh korrupsionin dhe faktin se shqiptarët e shohin atë si normalitet.

“Në shumë raste, korrupsionin e shihni si gjë normale. Eshtë ndërtuar një rrugë, është marrë rryshfet. Nuk ka rendesi pasi kemi rrugën. Ky është moment i rendësishëm për shtetin e së drejtës, lufta ndaj korrupsionit. Kur ka lëvizje qytetare dhe njerezit thonë boll, atëherë merr fund fenomeni, korrupsioni apo krimi. Ndodhi 30 vite më parë në Itali me rastin Falcone Borsellino, bëjeni edhe ju. Duhet t’i thoni stop, sepse nuk është fenomen vetëm i policise dhe drejtësisë, por i të gjithëve”.

Duke risjellë në vëmendje praktikën e vendit të tij me drejtësinë e para 30 viteve, diplomati italian kujton angazhimin e qeverisë se tij për reformën dhe nevojën që ajo të mos pengohet nga politika.

"Këto ditë po diskutohet në parlament zgjatja e afateve të vettingut. Ne e vleresojmë si vendim thelbësor për përmbylljen e gjithë proçesit drejtësi. Kjo pasi jo më shumë se gjysma e prokurorëve e gjyqtareve e kanë kaluar vettingun".

Drejtesia eshte sistemi qe po vezhgohet nga Brukseli si moment thelbesor per uljen ne tryezen e pare ndeerqeveritare per celjen e negociatave

Këto vlerësime ambasadori italian i përcolli gjatë bisedës me studentë të Universitetit "Luigj Gurakuqi" në Shkodër.

Për zhvillimet në rajon dhe Open Balkan, Italia shpreson që treshes ti bashkohet edhe Mali i Zi  dhe nisma sipas tij nuk dublon Unionin Europian.