Ngec vetingu në polici, procesi i nisur në 2019 i zvarritur, vetëm 57 vendime

Tri vite pas miratimit të ligjit, vetingu në polici është pezulluar për shkak të zvarritjeve dhe vonesave. Komisioni i Jashtëm i vlerësimit që ka dhënë deri tani vetëm 57 vendime pritet të shkrihet dhe kontrollin e punonjësve të policisë pritet ta bëjë SHÇBA. Efektivat e kësaj strukture do të marrin atributet për të kontrolluar punonjësit e policisë vetëm pasi ta kenë kaluar vetë këtë proces.

Ministria e Brendshme ka vendosur të ndryshojë totalisht  vettingun në radhët e policisë së shtetit tri vite pas fillimit të këtij procesi i cili aktualisht është pezulluar.

Drafti për këtë ndryshim që i jep kompetencat e kontrollit SHÇBA-së dhe parashikon shkrirjen e Komisionit të Jashtëm të Vlerësimit, është në fazën e përgatitjes për tu dërguar në Kuvend.

Ndërkohë prej muajsh Komisioni i Jashtëm ka pezulluar punën pasi nuk ka dhënë asnjë vendim. Sipas ministrisë së brendshme në filtrin e vetingut do të kalojnë vetëm drejtuesit e parë si dhe drejtuesit madhorë.

Ndërkohë kontrollin e punonjësve të gradave të ulëta do ta bëjnë efektivat e SHÇBA pasi të kenë kaluar vetë filtrat e vetingut. Aktualisht në strukturën e SHÇBA-së janë kontrolluar 25 efektivë e nga 40 që janë gjithsej.

Nga fillimi i zbatimit të ligjit për vetingun në polici janë dhënë 57 vendime nga trupa e Komisionit të Jashtëm të vlerësimit.

Kjo strukturë ka konfirmuar në detyrë 40 efektiva, 5 punonjës janë përjashtuar nga detyra, 6 zyrtarë janë dorëhequr, 2  janë proces gjykimi, një tjetër është në pritje të vendimit, ndërkohë që një proces është ndërprerë, pasi subjekti ka dalë në pension pleqërie.

Vetingu në dy raste ka vendosur detyrimin e efektivave për të ndjekur trajnimin e detyrueshëm pranë Akademisë së Sigurisë si dhe 1 lirim nga detyra me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të SHÇBA-së, për shkak të papajtueshmërisë me funksionin.

Në 12 drejtoritë e policisë në qarqe vetëm 2 prej titullarëve Ardian Cipa dhe Gjovalin Loka kanë kaluar procesin e vetingut ndërsa 10 drejtuesit e tjerë ende nuk i janë nënshtruar këtij procesi.