Grabitën vilat e biznesmenëve italianë, arrestohen 2 shqiptarët, ku ishin fshehur

Policia italiane ka arrestuar 2 shqiptarë të cilët prej kohësh kishin arritur të fshiheshin në një fermë në fshatin Carbonera.

Edison Pula dhe Imer Masha të moshës 30 dhe 28 vjeç u arrestuan pasi kishin dalë nga ferma për të bërë pazar.

Ata janë të dy persona me precedentë penalë, i pari, i arratisur, u akuzua me burg për pesëdhjetë vjedhje të kryera në Trentino, ndërsa partneri ishte dëbuar tashmë nga Italia.

Vjedhja e vilës së naftëtarit

Më 14 nëntor 2021 brenda vilës së naftëtarit Giancarlo Miotto 4 persona, 2 prej tyre të armatosur hynë dhe arritën të  merrnin kasafortën në dhomën e gjumit. Gjithashtu ata arritën të merrnin bizhuteri, ar, para, ora të ndryshme me vlerë miliona euro. Sipas medieve italiane, 2 nga personat që kryen grabitjen janë shqiptarët e arrestuar.

Tentativë tjetër për grabitje

Dy ditë më vonë, më 16 nëntor 2021 pati një sulm të dështuar në një vilë tjetër, në rezidencën e sipërmarrësit Nicola Giol. Kujdestari i vilës arriti që t'i përzinte  hajdutët pasi i pa përmes kamerave të vëzhgimit.

Çfarë gjeti policia

Në fermën ku fshiheshin 2 shqiptarët e arrestuar policia gjeti orë të ndryshme me vlerë (duke përfshirë dy Rolexe), para, sende argjendi dhe mjete për vjedhje.

Mediet italiane shkruajnë se Edison Pula ishte akuzuar në Shqipëri për tentativë vrasje, grabitje, trafik droge dhe posedim të lëndës plasëse. 

Ndërsa partneri i tij ishte përjashtuar nga Italia.