Basha rezistencë në negociata, në pikëpyetje vota e PD-së për zgjatjen e vetingut

Zgjatja e mandatit të organeve të drejtësisë për të kryer vettingun e gjyqtarëve dhe prokurorëve deri në fund të vitit 2024 është një çështje që ka futur në “lojë” sërish ndërkombëtarët për të negociuar me palët politike.

Propozimi për ndryshimet Kushtetuese të Partisë Socialiste, që procesin e vlerësimit për aktorët e drejtësisë të vijojnë të kryhet nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, për të kaluar në Parlament nevojiten 94 vota, çka sjell edhe nevojën për votat e Partisë Demokratike.

Burime bëjnë me dije se negociatat e selive diplomatike në Tiranë, SHBA dhe BE me kreun e Partisë Demokratike ende nuk janë përmbyllur me sukses për të garantuar votën në seancën plenare të së enjtes.

Shefi i selisë blu, vijon të rezistojë ndaj ndërkombëtarëve, edhe pse mbeten ende të paqarta kërkesat që ka hedhur në tryezë Lulzim Basha.

Reforma zgjedhore ka mbetur “peng” e mos lëshimit të socialistëve të koalicioneve parazgjedhore, kërkesë e demokratëve për të ndryshuar sërish Kushtetutën.

Madje as për komisionet hetimore për inceneratorët dhe hetimin e zgjedhjeve të 25 prillit, mazhoranca nuk ka dhënë dakordësinë, por ka pranuar t’i jap opozitës pak ditë më shumë, duke rishikuar rregulloren e Kuvendit.

SHBA, BE dhe vende e unionit në bllok u kanë bërë thirrje deputetëve që votojnë pro zgjatjes së mandatit të organeve të vettingut, por demokratët ende nuk kanë vendosur t’i përgjigjen pozitivisht ndërkombëtarëve.