Tiranë, kapet me kokainë, 2.23 mln lekë dhe 1430 euro, prangoset 31-vjeçari

Policia e Tiranës ka finalizuar operacionin të koduar "Suplier 2", për goditjen e shpërndarjes së drogave të forta në doza të vogla.

Në këtë operacion janë sekuestruar kokainë e ndarë në doza gati për shitje, tre aparate celulare, një automjet, shumat e parave 2.223.000 lekë të rinj dhe 1430 euro që dyshohet se janë përfituar nga ky aktivitet i paligjshëm.

Po ashtu është prangosur poseduesi i tyre, një 31-vjeçar, banues në Tiranë, i cili u prangos në rrugën "Sulejman Delvina".  

“Specialistët e Sektorit të Hetimit të Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar "Suplier 2", në kuadër të të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit: K. R., 31 vjeç, banues në Tiranë. Në rrugën "Sulejman Delvina", shërbimet e Policisë kanë lokalizuar dhe arrestuar në flagrancë shtetasin K. R., 31 vjeç, të cilit gjatë kontrollit fizik iu gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale një sasi lëndë e dyshuar narkotike kokainë e ndarë në doza gati për shitje, tre aparate celulare, 2.223.000 lekë të rinj dhe 1430 euro që dyshohet se janë përfituar nga ky aktivitet i paligjshëm.” – njofton policia.  

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale "Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike".