"Tentativë për grusht shteti" Meta padit Kuvendin në SPAK e Prokurori
Presidenti ilir Meta njoftoi se ka kallëzuar në SPAK Kuvendin e Shqipërisë për falsifikim dokumentesh. Përpara gazetarëve kreu i shtetit u shpreh se mandatin do ta përfundojë në datën 24 korrik. Meta tha se nuk do të lejojë përpjekjet mafioze, siç i konsideroi ai, për varrosjen e pluralizmit dhe demokracisë në vend.
Ilir Meta shprehet i bindur në përfundimin e plotë të mandatit të tij në krye të shtetit në një kohë kur Gjykata Kushtetuese pritet të japë verdiktin lidhur me vendimin e Parlamentit për shkarkimin e presidentit nga detyra.
Pasi bëri publik vendimin për të kallëzuar Kuvendin e Shqipërisë në SPAK, Meta tha se me falsifikimet e provave që kanë ndodhur në procesin ndaj tij populli i dy marsit është revoltuar edhe më shumë.
"Kjo provë e re që askush nuk e kërkon, që vjen pas 8 muajsh nuk është gjë tjetër veçse përpjekja për të finalizuar një grusht shteti kundër kreut të shtetit. Në 24 korrik ju kam premtuar do bëj një festë me të gjithë se bashku dhe pastaj aty është populli i 2 marsit," tha Meta.
Pa emra konkretë, por me akuza të rënda, Presidenti flet për mafiozë rilindas mavi, blu dhe ndërkombëtarë që sipas tij kanë bërë gjithçka për të varrosur pluralizimin politik.
"Në mënyrë mafioze të gjithë ata rilindas vendas dhe ndërkombëtarë, mavi dhe blu dhe rilindas ndërkombëtarë kudo ku janë se do të varrosin de facto pluralizmin politik në Shqipëri dhe do të dhunojnë popullin e Shqipërisë do të dëshpërohen pa fund dhe do të marrin përgjigjen e merituar," tha ai.
Në fund Meta e mbylli konferencën për mediet me një fjali të huazuar nga Sali Berisha.
Kuvendi: Pretendimet e Presidentit nuk qëndrojnë
Në një reagim në orët e pasdites, Kuvendi i Shqipërisë është shprehur se duke qenë se Gjykata Kushtetuese është tërhequr për të marrë vendim, respekton heshtjen dhe nuk bën komente.
"Përsa i takon pretendimeve të Presidentit të Republikës për manipulim ose për falsifikim, me përgjegjësi të plotë sqarojmë se këto pretendime nuk qëndrojnë"- thekson Kuvendi i cili pranon në deklaratë se në datën 4 shkurt 2022 ka depozituar pranë Gjykatës Kushtetuese dokumentacionin zyrtar ligjor që lidhet me çështjen në shqyrtim.
